Kuvendi voton që të themelohet komision hetimor për hetimin e licencave të KPMM-së

Kuvendi i Kosovës do të themelojë komision hetimor parlamentar që të hetohen të gjitha licencat dhe lejet për hulumtim dhe lejet për shfrytëzim të dhëna nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Ky ka qenë rekomandimi kryesor i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performacës “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”, që ka marrë 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Partitë opozitare janë shprehur kundër këtyre rekomandimeve duke thënë se nuk janë përfillur procedurat për inicimin e komisionit hetimor.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arta Bajralija, ka paraqitur rekomandimet e komisionit, ku rekomandimi kryesor tha se është që Kuvendi të themelojë komision hetimor për licencat dhe lejet për hulumtim dhe lejet për shfrytëzim të dhëna nga KPMM.

“Kuvendi i Kosovës të themelojë komision hetimor që të hetohen të gjitha licencat dhe lejet për hulumtim dhe lejet për shfrytëzim të dhëna nga KPMM. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe KPMM të marrin veprimet e nevojshme që të krijohet një data-bazë për monitorimin e licencave dhe lejeve për hulumtim dhe shfrytëzim, të krijohet një listë e zezë për operatorë ekonomik, të cilët nuk i përmbahen kushteve dhe kritereve të shfrytëzimit, të mos bëhet dhënia e licencës ose vazhdimi i saj pa kompletimin e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm programi cilësor për rehabilitim”, tha Bajralija.

Ajo tha se raporti i auditimit ka treguar se procesi i dhënies së licencave dhe lejeve për aktivitete të veçanta nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk ka ofruar siguri të mjaftueshme se janë plotësuar të gjitha kriteret gjatë licencimit të operatorëve ekonomikë.

Deputeti i Vetëvendosjes Enver Haliti, tha se sa i përket shfrytëzimit të mineraleve ndërtimore dhe industriale në katër vjetët e fundit është dyfishuar numri i licencave për gurthyes.

“Në bazë të rezultateve të auditimit ZKA tregon që institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur ambientin nga operatorët ilegalë gjatë zhvillimit të aktivitetit minerar, duke mundësuar që këta operatorë të operojnë pa zbatuar kriteret dhe pa ofruar siguri në terren ku veprojnë…Sa i përket shfrytëzimit të mineraleve ndërtimore dhe industriale në katër vjetët e fundit është dyfishuar numri i licencave për gurthyes krahas rritjes së kërkesës për ndërtimin e autostradave dhe kërkesave të tjera për ndërtim”, tha Haliti.

Kundër themelimit të komisionit hetimor ka qenë Grupi Parlamentar i PDK-së, deputeti i së cilës Fadil Nura tha se rekomandimet janë në kundërshtim me Ligjin për miniera dhe minerale

“Rikonfirmoj kundërshtimin tonë lidhur me këto rekomandime të cilat i adresohen KPMM-së që lidhen me auditimin e performancës nga “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtjen e ambientit nga kjo veprimtari”, për faktin se në masën më të madhe të tyre nuk kanë mbështetje në të gjeturat e auditorit në raportin e auditimit të performancës, dhe janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për miniera dhe minerale, ndërsa janë krejt joprofesionale në aspektin procedural. Shembull rekomandimi i parë, thotë Kuvendi të themelojë komision hetimor që të hetohen të gjitha licencat dhe lejet për hulumtim dhe lejet për shfrytëzim të, është një rekomandim i cili nuk ka bazë në raportin e auditimit të performancës”, tha ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se nuk janë përfillur procedurat për themelimin e komisionit hetimor parlamentar, për çka ai ka propozuar që procedura të nisë nga fillimi.

“Në princip ne jemi pro formimit të një komision hetimor parlamentar i cili heton veprimtarinë, licencat e gurthyesve minierave dhe mineraleve. Problemi qëndron te mënyra e propozimit, rekomandimi në mënyrën se si është shkruar nuk i plotëson kushtet formale-juridike që të përkrahet, sepse Ligji për formimin e komisioneve hetimore parlamentare në mënyrë eksplicite thotë formimi i komisionit hetimor parlamentar duhet të ketë të caktuar në mënyrë specifike fushëveprimtarinë, kohëzgjatjen jo më të madhe se gjashtë muaj, buxhetin, numrin e anëtarëve të komisionit dhe kryesimin e komisionit. Asnjëra prej këtyre pesë elementeve substanciale për formimin e një komisioni hetimor parlamentar nuk janë të parapara në këtë rekomandim. Do të ishte mirë komisioni funksional raportues në këtë rast ta tërheqë këtë rekomandim dhe të fillojë procedurën prej fillimit, pra të fillojë një procedurë të mirëfilltë të cilën besoj që ne të gjithë do ta përkrahim”, tha Gashi.

Edhe Grupi Parlamentar i AAK-së u shpreh kundër themelimit të komisionit hetimor, ku deputetja e kësaj partie Albana Bytyqi, tha se qeveria po i përzien kompanitë me borde.

“Ne si grup parlamentar jemi kundër këtyre rekomandimeve që të mos bëhet dhënia e licencave dhe vazhdimi i saj, sepse deri sot ato kompani kanë funksionuar dhe nuk ka pasur asnjë problem. Unë konsideroj se ato kompani i kanë plotësuar kushtet për të operuar që të mos dëmtohen më tutje sepse nuk e di në çka bazoheni që t’iu ndalet veprimtaria. Ndërsa, të gjitha ato kompani që nuk i kanë plotësuar kushtet dhe nëse ka të tilla që nuk janë të licencuara ju inkurajojmë të bëni kallëzim penal dhe jo ato kompani që janë produktive. Ju jeni mësuar të shkarkoni borde dhe i keni përzier kompanitë thuajse janë borde të kompanive publike. Ju lutem, mos i përzini këto kompani me borde!”, tha ajo.

Por, deputetja e Vetëvendosjes Fitore Pacolli, kërkoi përfshirjen e prokurorisë në hetimet mbi degradimin mjedisor dhe për dëmin e shkaktuar ekonomisë së vendit, pavarësisht nëse bëhet fjalë edhe për ish-zyrtarë të lartë.

“Për 20 vjet me radhë pasuritë tona minerale janë shfrytëzuar pa kritere e pa planifikim adekuat, pasuritë tona të përbashkëta janë shndërruar në asete private e janë përdorur për interesat të vetëm disa individëve, e si rezultat gjendja jonë ekonomike është renduar e mjedisi ku ne po jetojmë është degraduar dhe vetëm disa individ janë pasuruar”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”, si dhe rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për Raportin e Auditimit të performancës për raportin “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike dhe vlerësimi i rezultateve”.