Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur të hënën mbledhje në mënyrë elektronike, përmes platformës ZOOM. Sipas njoftimit të Kuvendit, kryesia përcaktoi agjendën e punës për këtë javë.

“U vendos që të enjten Kuvendi t’i vazhdojë punimet e dy seancave të papërfunduara, më 11 dhe 23 qershor, si dhe më pas të mblidhet në seancë të re”, thuhet në njoftim.

Pesë projektligje do të votohen prej orës 10:00. Në ora 10:30 do të hidhet në votim Propozim-rezoluta nga raportimi i kryeministrit të Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.

Ndërkohë në ora 11:00 fillon seanca e re.

“Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, për miratimin e buxhetit, do të jetë pika e radhës, për t’u pasuar me formimin e dy komisioneve ad-hoc”, thuhet në njoftim.

Në mbledhje kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka shprehur shqetësimin për faktin se Qeveria ende nuk e ka dërguar opinionin për nismën e Kuvendit për Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, gjë që do të mundësonte trajtimin e ligjit në seancë. Sipas njoftimit, Osmani ka thënë se situata emergjente kërkon veprime të shpejta e jo bllokim për gati një muaj të këtij ligji. Osmani ka paralajmëruar që nëse Qeveria nuk e sjellë opinionin deri të enjten, ajo në seancë do të propozojë shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky ligj urgjentisht.