Kuvendi merr masa pas transmetimit të aktivitetit të PDK’së në faqen zyrtare

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka reaguar pas transmetimit të një aktiviteti partiak të Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, në faqen e Kuvendit të Kosovës në Facebook.

E pas kërkesës së Osmanit që që të ndërmerren masa urgjente ndaj kujtdo që ka keqpërdorur autorizimet zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm Ismet Krasniqi ka njoftuar për veprimet që janë marrë.

Krasniqi ka bërë me dije se është iniciuar procedurë disiplinore për menaxherin e kontratës, është pezulluar kontrata me një agjenci të lajmeve dhe është inicuar kërkesa për kompensimin e dëmit të shkaktuar lidhur me integritetin institucional dhe imazhit të Kuvendit.

Komunikata e plotë:

Në vazhdën e reagimit dhe të kërkesës së kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, lidhur me çështjen e transmetimit të drejtpërdrejtë të një aktiviteti të Partisë Demokratike të Kosovës, në faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka ndërmarrë masat si në vijim:

1.     Iniciohet procedurë disiplinore për Menaxherin e Kontratës.

2.     Nga sot, datë 27 nëntor 2020, pezullohet kontrata e shfrytëzimit të shërbimeve nga operatori “Ekonomia Online”.

3.     Iniciohet kërkesa për kompensimin e dëmit të shkaktuar lidhur me integritetin institucional dhe imazhit të Kuvendit.