Kuvendi i Kosovës shpenzoi mbi 2 milionë euro për 3 muaj

Raporti i Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tre mujorin e parë të vitit 2019 nuk ka kaluar.

Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk e ka kaluar raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2019, pasi deputetët kanë vlerësuar se raporti nuk ka përfshirë të gjithë analizën e shpenzimeve.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se në këtë tre mujor Kuvendi ka shpenzuar 2 milionë e 200 mijë euro për mallra dhe shërbime.

“Për 3 mujorin e parë, Kuvendi ka shpenzuar 2 milionë e 200 mijë euro për mallra dhe shërbime. 1 milion e 575 mijë ka shpenzuar për paga ose 48.40 për qind e buxhetit. Shërbime komunale 82 mijë”, tha Krasniqi.

Kryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, tha se stafi politik që janë këshilltarët e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kanë shpenzuar nëpër udhëtime zyrtare proporcionalisht sa deputetët.

Duke iu referuar raportit, Abdixhiku tha se Veseli vetëm në një udhëtim në SHBA ka shpenzuar mbi 21 mijë euro, duke u paguar një dhomë hoteli 600 dollarë. Ai ka ftuar që të kursehet në këtë aspekt.

Me këtë mendim u pajtua edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila tha se buxheti i Kosovës po shpenzohet për luks të qeveritarëve.

Shpenzimet e Kuvendit të Kosovës i ka arsyetuar deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj, e cila tha se Kuvendi i Kosovës ka më shumë nevojë për udhëtime për të promovuar punën e vendit dhe këto udhëtime është mirë të shihen me pozitivitet dhe jo me një qasje të tillë.