Kushtetuesja e kthen në rigjykim rastin e të dënuarës me 25 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortit në Francë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ta kthejë në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lëndën e Suzana Zogiani-Sekiraqës e cila ishte dënuar për vrasjen e bashkëshortit të saj.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media të martën, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Gjykata, me shumicë votash, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme për shqyrtim në merita; dhe (ii) konstatoi se Aktgjykimi [Pml.nr.310/2020] i 28 prillit 2021 i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. Nr. 133/2020] të 3 korrikut 2020 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [PAKR.nr.37/19] të 24 janarit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata ka konstatuar se aktgjykimet e gjykatave të rregullta janë nxjerrë në kundërshtim me parimet kushtetuese të barazisë së armëve dhe rrjedhimisht me garancitë procedurale për të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshme dhe të drejtën për një proces të rregullt.

“Gjykata konstatoi se, Aktgjykimet përkatëse të gjykatave të rregullta janë nxjerrë në shkelje të parimit kushtetues të barazisë së armëve dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me garancitë procedurale të mishëruara në paragrafin 1 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë, Gjykata shpalli të pavlefshme të njëjtat dhe ktheu çështjen përkatëse penale në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 17 dhjetor 2019, Suzana Zogiani-Sekiraqën e kishte shpallur fajtore për vrasje të rëndë dhe të njëjtën e kishte dënuar me 25 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo akuzohej se më 21 nëntor 2018, në banesën e saj në Dole të Francës, kishte vrarë në mënyrë mizore.

E pakënaqur me aktgjykimin e Themelores, mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Sevdali Zejnullahu kishte ushtuar ankesë në Apel, me të cilën kishte kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim.

Mirëpo, ankesën e mbrojtjes e kishte refuzuar Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2020, e cila gjykatë e kishte lënë në fuqi dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë.

Kundër aktgjykimeve të lartcekura, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka ushtruar mbrojtësja e të dënuarës, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.

Mbrojtja kishte propozuar që kërkesa të aprovohet dhe aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen ashtu që e dënuara të lirohet nga përgjegjësia penale apo vepra penale të ricilësohet si vepër penale e kryer në gjendje të afektit mendor, apo të anulohet dhe çështja ti kthehet gjykatës së parë në rigjykim.

Ndaj kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë është përgjigjur Prokurori i Shtetit, ku është kërkuar që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes.

Duke i vlerësuar pretendimet e mbrojtjes, edhe Gjykata Supreme kishte ardhur në përfundim se ato janë ta pabazuara.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 8 shkurt 2019, Zogiani-Sekiraqa, akuzohej se më 21 nëntor 2018, rreth orës 08:30, në banesën e saj në Dole të Francës ku ishin duke jetuar se bashku me bashkëshortin e saj A.S, tani të ndjerin, ajo me dashje e ka privuar atë nga jeta në mënyrë mizore.

Prokuroria pretendonte se Zogiani këtë veprim e kishte kryer duke e goditur me mjet të mprehtë – sëpatë të paktën 11 herë në pjesë të ndryshe të qafës. /Betimi për Drejtësi