Sulmi ndaj KFOR

Kush e tradhtoi Llunen dhe çfarë pozita iu premtuan Rakiqit dhe Simiqit për t’i bindur serbët që të largohen nga institucionet?

Një profil në “Telegram” që iu përket strukturave kriminale që veprojnë në Veri të Kosovës, ka shpërndarë disa informacione që lidhen me zhvillimet në atë pjesë të Republikës së Kosovës e ku përfshihen kokat e organizatave kriminale, Milun Milenkovic e Milan Radojicic. Në këtë profil shkruhet për prapaskena të pretenduara të zhvillimeve në Veri, ku përfshihen edhe krerët e Listës Serbe.

Bandat kriminale të përziera mes banorësh lokalë në Veri kishin nxitur protesta të dhunshme për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat Veriore. Milun Milenkovic i njohur si “Llune” e që ka qenë koka e organizatës “Mbrojtja Civile” kishte qenë organizatori kryesor i sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it para Komunës së Zveçanit.

Llune ishte arrestuar pas një aksioni të Policisë së Kosovës në qershor të këtij viti. Një profil në “Telegram”, e që për Gazetën Express është konfirmuar nga organet përkatëse të Kosovës se iu përket strukturave kriminale në Veri, ka shkruar  për këto ngjarje të ndodhura në veri, përfshirje braktisjen e institucioneve nga serbët, arrestimin e Llunes e deri tek Milan Radojiçiqi.

Siç pretendohet në këtë profil, Llune “ishte tradhtuar nga Steva Pavicevic” i cili sipas tyre “kishte ndihmuar pjesërisht” Policinë e Kosovës gjatë arrestimit.

Po në këtë profil, thuhet se Goran Rakiqit dhe Igor Simit iu ishin premtuar pozita në Qeverinë e Serbisë nëse do të arrinin që të bindin serbët të largoheshin nga institucionet dhe që më vonë t’i dërgonin në një tubim në Beograd, në mënyrë që Policia e Kosovës ta ketë më të lehtë t’i marrë nën kontroll objektet e Komunave në Veri.

“Stevan Pavicevic e tradhëtoi Milun Milenkoviçin dhe pjesërisht ndihmoi policinë e Kosovës gjatë arrestimit. Goran Rakiqit dhe Igor Simiqit iu premtuan pozita në Qeverinë e Republikës së Serbisë nëse do të arrinin t’i bindin serbët të largohen nga institucionet dhe më vonë të shkojnë në një tubim në Beograd për të bërë policinë qe me lehtë t’i pushtojë komunat”, shkruan ky kanal në “Telegram” i strukturave kriminale të Veriut.

Tutje aty flitet edhe për Milan Radojçiqin, duke thënë se ai vazhdimisht shpreh dëshirën për të mbrojtur popullin serb, ndërkohë që “Aleksander Vulin dhe shërbimet e inteligjencës britanike ia punojnë pas shpine”, raporton Express.

Në këtë postim në “Telegram” thuhet se i është dhënë çdo lloj mbështetje Milan Radojiçiqit dhe grupit të serbëve, meqë kanë dashur t’i tregojnë vetë Radojiçiqit dhe serbëve se s’janë ta gatshëm dhe të aftë ta mbrojnë popullin serb dhe t’ua bëjnë me dije serbëve se “historia me Kosovën përfundoi”.

“Milan Radoiçiq vazhdimisht shpreh dëshirën për të mbrojtur popullin, Aleksandar Vulin dhe shërbimet e inteligjencës britanike ia punojnë pas shpine. Pse i dhanë çdo lloj mbështetje Milan Radoiçiqit dhe grupit të serbëve? Sepse kanë dashur t’i tregojnë se ai dhe serbët nuk janë të gatshëm dhe të aftë për të bërë një gjë të tillë dhe t’u tregojnë serbëve se historia me Kosovën përfundoi.”, shkruhet në këtë profil në “Telegram”. /GazetaExpress/