Në mungesë të tre kapitenëve për shkak të lëndimeve dhe pasi që Samir Ujkani s’pritet të luajë, mësohet se kapiten i Kosovës për përballjen kundër Malit të Zi pritet të jetë Vedat Muriqi.
“Dardanët” e Bernard Challandes e kanë një sfidë të rëndësishme para vetes. Sonte në orën 20:45, në stadiumin e qytetit të Podgoricës, ata do ta kërkojnë fitoren e parë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.
Trajneri Bernard Challandes ka disa mungesa për këtë ndeshje, përfshirë Valon Berishën, Hekuran Kryeziun dhe Hekuran Shalën, të cilët ishin ndër kapitenët e Kosovës. Përveç këtyre tre mungesave, kapiteni i parë Samir Ujkani pritet të mbetet në stol, pasi që detyrën e portierit besohet se do ta ketë Arijanet Muriçi.
Kur u pyet dje, në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotshme kundër Malit të Zi, për shirtin e kapitenit, trajneri Challandes tha se do të vendosë pas stërvitjeve, që u zhvilluan dje, për kapitenin
“Kapiteni i Kosovës? Ne kemi humbur katër kapitenë, por kapiteni nuk është problemi kryesor. Do të pres stërvitjet këtë mbrëmje që të vendosi për kapitenin nesër”, u shpreh Challandes.
Titullar për Kosovës në fazën e mbrojtjes pritet të jenë Arijanet Muriçi, Mërgim Vojvoda, Amir Rrahmani, Fidan Aliti dhe Benjamin Kololli. Idriz Voca dhe Besar Halimi do të kombinojnë në mesfushë, ndërsa Milot Rashica, Bersant Celina dhe Arbër Zeneli do të jenë më ofensivë për ta mbështetur Vedat Muriqin, në pozitën e qendërsulmuesit.







