Kush do të jetë kandidati për Kryeministër dhe a do të kenë koalicion para zgjedhor, flasin nga PDK-ja

Partia Demokratike e Kosovës vazhdon diskutimet rreth emrit që do të jetë kandidat për kryeministër nga kjo parti. Gjithashtu, në kryesinë qendrore është duke u trajtuar edhe mundësia rreth koalicionit para zgjedhor, shprehen nga Partia Demokratike e Kosovës për Ballkani.info.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, pas takimit të djeshëm me u.d. Presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja ka qenë i pritur për shkak të situatës në vend.

Gjersa, ka shtuar se ende nuk e kanë caktuar mandatarin për kryeministër.

 “Ne ende se kemi folur një temë të tillë në PDK, shumë shpejt do të dalim me kandidatin që do t’i prijë listës së PDK-së. PDK-ja është parti që kur e ka pasur pozitën e kryeministrit ndryshimet kanë qenë konkrete”, ka thënë Hoxhaj.

Ballkani.info ka kontaktuar me deputetin e PDK-së, Fadil Nura, nëse tashmë ata e kanë emrin e mandatarit për kryeministër dhe nëse do të formojnë koalicione para zgjedhore, ai ka thënë se janë duke u trajtuar ende këto tema.

“Sa i përketë kadidatit për Kryeministër nga partia jonë dhe koalicioneve para zgjedhore, të gjitha jemi duke i trajtuar në Kryesinë qendrore me angazhim dhe intenzitet të lartë”, ka thënë Nura.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, tashmë është në paraburgim në Hagë, pas arrestimit më 26 tetor 2020, nën akuzë për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Sesa do të ndikojë mungesa e liderit të tyre në  rezultatin e zgjedhjeve, Nura thotë se kjo mungesë është evidente dhe hendikep i madh.

“Mungesa e kryetarit është më së evidente dhe hendikep i madh. Megjithatë jemi në përpjekje që me angazhim e punë të plotësojmë sado pak këtë mungesë”, ka pohuar Nura për Ballkani.info.

Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit, kishte dalë e treta duke qëndruar kështu në opozitë gjatë qeverisjes Hoti./Ballkani.info./