Kusari-Lila për protestën: Pati tendencë për eskalim të situatës, gjithçka lidhet me qeverisjet e kaluara

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka folur për protestën e sotme të veteranëve të luftës si dhe për ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës për javnë tjetër.

Deputetja tha se sot kanë qenë 20 pika për diskutim në seancë, si dhe diskutimi për projektligjin, që ajo e quan të famshëm, rreth tërheqjes së mjeteve të 20 për qindëshit nga Trusti.

“Kemi pasur 20 pika në Kuvend, votimin e Bordit të OSHP-së, gjithashtu edhe projektligjin e famshëm të Trustit. E gjithë kjo agjendë u hijëzua nga protesta, jo jashtë po ajo brenda nga deputetët, sidomos të PDK-së dhe AAK-së. Këta të parët ishin më të zëshëm në ushtrim të forcës në fakt. Ajo çka u synua nuk u arrit. Ka pasur tendencë për eskalim të situatës dhe tërheqje të vëmendjes nga ajo cka duhet të trajtohet me seriozitet”, deklaroi ajo në Kanal 10.

Mes tjerash, ajo fajësoi qeveritë e kaluara për vendimet që i kanë marrë rreth gjendjes së veteranëve.

“Sot veteranët nuk janë të kënaqur me statusin e tyre, por janë vendimet që janë marrë një nga këta që pretendonin se flasin në emër të veteranëve. Çdo gjë lidhet me qeverisjen e këtyre që sot po deklarojnë të kundërt apo veprimet e tyre në raport me listat e veteranëve. 5-6 vitet e fundit, dy partitë që gjenezën e kanë pasur nga krahu i luftës, janë munduar të kapitalizojnë në forma të ndryshme, duke fryrë lista dhe duke i bërë të pakënaqur ata që me të vërtetë janë veteranë”, tha ajo.