Kurz thotë se vaksina anti-COVID do të shpërndahet në Ballkanin Perëndimor në të njëjtën kohë

Kancelari federal i Austrisë, Sebastian Kurz, ka thënë se shpërndarja e vaksinave anti-Covid në Ballkanin Perëndimor do të bëhet në të njëjtën kohë. Kështu ka bërë të ditur ai në një takim virtual me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti.

Ndër të tjera ai ka dhënë mbështetje edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen.

Kancelari Kurz tutje ka konfirmuar se Austria do të konsiderojë vazhdimin e marrëveshjes për kredi të butë me Kosovën, kryesisht për projekte për furnizim me ujë dhe trajtim të ujërave të zeza.

“Hoti me Kancelarin Kurz, bisedoi edhe për përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kryeministri Hoti e njoftoi Kancelarin Kurz, me masat që ka ndërmarrë Qeveria për minimizimin e pasojave që ka shkaktuar pandemia si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik e social. Derisa po bisedonin për procesin e imunizimit dhe të vaksinimit kundër Covid-19, Kryeministri Hoti nga Kancelari Kurz mori konfirmimin se distribuimi i vaksinave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, do të bëhet në të njëjtën kohë”, thuhet në njoftim.