Kurti tregon se çfarë i tha Grenelli pasi e hoqi taksën pjesërisht: Çdo ditë kontaktoj me të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit e cila po mbahet për rrëzimin e qeverisë, ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me emisarin e SHBA-së për dialgoun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kurti tha se shumicën e kohës nuk pajtohet me ambasadorin Grenell, teksa tregoi se ai i ka kërkuar që ta harrojë reciprocitetin.

“Me ambasadorin Grenell unë kontaktoj për çdo ditë. Një pjesë të mirë të kohës nuk pajtohemi. Unë mbaj qëndrimin tim sepse mbroj interesat e Kosovës. Ai thotë harroje reciprocitetin, por s’mund ta harroj reciprocitetin. Për çdo ditë shkruhem me ambasadorin Grenell”, ka thënë Kurti.

Pas vendimit të heqjes së taksës ndaj Serbisë për lëndën e parë, Kurti ka thënë se i ka shkruar përsëri Grenell, duke i thënë se kjo nuk është e mjaftueshme.

“Pasi që e kam heqë taksën për lëndën e parë, tha nuk mjafton kjo. Prapë më ka shkruar ai mua. Këto janë komunikimet tona”, ka thënë Kurti.