Kurti thotë “S’ka Zajednicë”, por Ambasada e SHBA-ve vazhdon t’i referohet si “Zajednicë”

Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar se në Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit ndodhet edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, por duke thënë se nuk ndodhet Zajednica. Megjithatë, Ambasada e SHBA-ve vazhdon t’i referohet si “Zajednicë”.

Kjo ka ndodhur pas një paraqitjeje të ambasadorit amerikan Christopher Hill në Euronews Serbia.

“Një moment kyç është duke u arritur në procesin e dialogut në Bruksel për Marrëveshjen e ardhshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Marrëveshja është pa mëdyshje e mirë për Serbinë. Një nga çështjet më të rëndësishme është nevoja për themelimin e shpejtë të “Zajednicës” së Komunave Serbe”, ka shkruar Ambasada.

Edhe kryenegociatori Besnik Bislimi ka përsëritur disa herë se “nuk do të ketë Zajednicë”, shkruan Nacionale.

Zajednica si term ishte përdorur për vite me radhë nga Vetëvendosje si term pezhorativ për të ilustruar të këqijat e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Një nga termet në serbisht për të shmangur “Zajednicën” kishte qenë “udruženje” apo edhe terme të reja më miqësore.