Ish-Kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se ka pasur përpjekje nga Qeveria Kurti që të tejkalohet Kancelari i Gjermanisë dhe zyra e tij në përpjekjen për të siguruar votën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në votimin që do të bëhet në Këshillin e Ministrave.
Sipas Hoxhajt, Kurti ka menduar që është Kryediplomatja e Gjermanisë ajo që vendos në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë kusht që të votohet pro anëtarësimit të Kosovës, që thotë se tregon paditurinë e kësaj qeverie në politikën e jashtme.
“…ajo çfarë ka ndodhur në vizitën e kryeministrit Kurti në Berlin, mendoj që tregon në mënyrë konkrete se sa të padijshëm janë në politikë të jashtme. Z.Kurti ka mendu që Ministrja e Jashtme, e cila ulet në Këshillin e Ministrave të Këshillin e Evropës është ajo e cila merr vendim vetë të pavarur, pa asnjë kusht dhe ka pas pasur përpjekje nga Qeveria Kurti që të tejkalohen kancelari dhe zyra e kancelares…Këtu dmth ka pas përpjekje që të bindet Ministrja e Jashtme, Baerbock, se ajo ulet në tavolinë dhe të merret vota pa asnjë kusht gjerman”, ka deklaruar Hoxha në Pressing të T7.
Ai ka goditur edhe deputetin gjerman nga radhët e SPD Frank Schëabe, që është edhe drejtues i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të cilin tha se ka “gjuhë të yndyrshme politike në Bundestag”.
Hoxhaj tha se Qeveria Kurti ka menduar se deputet si Schëabe mund të kenë ndikim në politikën e jashtme të Gjermanisë, por se në shtete serioze politika e jashtme bëhet nga qeveria.
Duke komentuar telefonatën që Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, realizoi me kryeministrin Albin Kurti, ku i kërkoi themelimin e Asociacionit, Hoxhaj tha se Scholz përveç mesazhit që i dërgoi Kosovës, i dërgoi mesazh edhe partisë që është në koalicion me të.
“Sa ishte për Kosovën që është kusht, ishte për t’ua bërë me dije partisë që udhëheq ministrinë e Punëve të Jashtme që do të thotë që ky është qëndrimi gjerman dhe natyrisht që politikën e jashtme e bën Kancelari në Gjermani dhe në Francë e bën presidenti. A këta kanë mendu që disa deputetë të caktuar të cilët janë të zëshëm, të cilët kanë edhe një gjuhë kogja të yndyrshme politike në Bundestag, me mbiemra Schëabe, mund të kenë ndikim në politikën e jashtme gjermane, po në politikën e jashtme franceze, por në shtete serioze se bën politikën me deputetë, por e bën politikën me qëndrime që e ka qeveria”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj tha se qëndrimi i Francës dhe i Gjermanisë përputhet 100 përqind.
“Unë mendoj që ky rast në detaje tregon se sa amaterë politikë janë dhe çfarë aventure politike bëjnë, prandaj edhe qëndrimi që doli me shkrim i telefonatës së Scholzit me Kurtin dhe i Macronit me Kurtin, unë e pash këtë tekstin gjermanisht, e pash edhe atë pjesën prej frëngjishtes në anglisht, është i përputhun 100 përqind. Është tekst i ngjashëm. Nëse thuhet se dialogu duhet të kushtëzohet me të ardhmen evropiane të Kosovës, nëse thuhet që jemi të kënaqur për t’i regjistru pronat e manastirit të Deçanit, andej në gjuhë gjermane përdoret një formulim që është i saktë që thuhet “Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës duhet të ndodhë jo në kontekstin, por duhet ndodhë i ndërlidhur, i ndërlidhur me pritjen e Kosovës për t’u bërë shtet anëtar në KiE”, ka thënë tutje Hoxhaj.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar në telefon me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Schol.
Siç thuhet në njoftim, kancelari theksoi mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ku përfshihet edhe Asociacioni i komunaveme shumicë serbe.
Po ashtu përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit.
Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kurti është telefonuar para një jave edhe nga Presidenti i Francës, Emanuel Macron, i cili ka kërkuar përparim të shpejt për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke ndërlidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në njoftimin për media të Presidencës franceze thuhet se Macron ka “nënvizuar rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Tani çështja është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.







