Kurti takon ambasadorin e Turqisë, një ditë pasi që ministrja Gërvalla tha se ambasada në Jerusalem është çështje e kryer

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Sakar e ka uruar Kurtin për marrjen e detyrës dhe ka ritheksuar vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve.

Kreu i Qeverisë e falënderoi diplomatin turk për urimet dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Në takim u bisedua edhe për mundësinë e eliminimit të disa barrierave ekonomike që do të lehtësonin investimet dhe shkëmbimet.

Në njoftim nuk është përmendur fare çështja e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, për të cilën Turqia ka dalë kundër.