Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dje është konfirmuar se nuk ka zgjidhje tjetër pos mbajtje të zgjedhjeve të reja në Kosovë.
Të dielën qeveria “Kurti 3” e propozuar nga mandatari Albin Kurti mori vetëm 56 vota në Kuvendi ne Kosovës dhe nuk kaloi.
“Para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është arsyeja pse vendi nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër përveçse zgjedhje të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë”, tha Kurti në konferencë për media.
Ai ka thënë se LDK-ja ka refuzuar kategorikisht qeverinë e udhëhequr nga ai e po ashtu edhe Nisma ka refuzuar përfundimisht të jetë në qeveri që e drejton ai.
“Po të rezonin ndryshe e të pranonin ofertën për bashkëpunim, jo që do të kishim numrat që të formonim qeverinë e re, por edhe do të mund t’i jepnim zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit pas 4 muajve”, tha Kurti.
Ai ka thënë se duke parë disponimin e elektoratit të LVV-së dhe LDK-së, ishte munduar “ta shkëpuste LDK-në nga PDK-ja”.
“Në vitin 2020 ja arritëm, por vetë, për 51 ditë. E provuam përsëri me lidershipin e LDK-së, por pa sukses. E vetmja mënyrë se si LDK-ja pranonte të bëhej pjesë e qeverisë me ne ishte që edhe PDK-ja të ishte brenda, e për ne është e papranueshme dhe e dëmshme”, tha Kurti.
Ai ka falënderuar gjithë deputetët që e kanë mbështetur qeverinë “Kurti 3”.
“Do të jemi qeveri në detyrë meqë dje nuk arritëm të bëhemi qeveri fuqimplotë”, ka thënë Kurti.







