Kryeministri

Kurti: Serbia duhet ta pranojë përgjegjësinë për masakrën më brutale në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa përshëndeti miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), deklaroi se për ta arritur paqen në rajon, shteti i Serbisë duhet ta pranojë përgjegjësinë për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë masakrën më brutale në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ne përgëzojmë miratimin nga OKB-ja të 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit për Gjenocidin e Srebrenicës, duke shënuar masakrën më brutale të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Për paqen në Ballkan, përgjegjësia e Serbisë duhet pranuar dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të sjellë autorët para drejtësisë”, shkroi kreu i ekzekutivit kosovar.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të enjten e 23 majit rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë – rajon në lindje të Bosnje e Hercegovinës, ku forcat serbe vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë në vitin 1995.

Rezoluta për Srebrenicën kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime. Rezoluta për Srebrenicën që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të presidentitet serb, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.

E përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Kroacia – votuan në favor të rezolutës së hartuar nga Gjermania e Ruanda. Prej vendeve të Bashkimit Evropian (BE), kundër votoi vetëm Hungaria, ndërsa abstenuan Greqia, Sllovakia dhe Qipro – mosnjohëse të Kosovës.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e mijëra viktimave. Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë vlerësohet se u vranë rreth 13 mijë e 500 persona.