Premtimi i kryeministrit Albin Kurti për ndërtimin e dy digave gjatë këtij mandati qeverisës, mund të mbetet vetëm në letër. Sipas afatave që ka dhënë Ministria e Mjedisit, ky projekt mund të fillojë gjatë këtij mandati, por finalizimi i tij kërkon edhe tri vjet të tjera. Express u sjell detaje rreth këtij projekti

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, ka premtuar ndërtimin e dy digave për rritjen e rezervave ujore.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, ndërtimi i këtyre digave do të bëhej gjatë këtij mandati qeverisës.

“Të vetëdijshëm për rezervat e ulëta ujore në vend të cilat nuk kalojnë shifrën prej 500 milionë metra kube ujë, kryeministri Kurti ritheksoi synimin e Qeverisë për të rritur këto kapacitete duke ndërtuar dy diga të reja brenda këtij mandati, gjatë të cilit synohet edhe përfundimi i ndërtimit të impianteve në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës”, ka njoftuar ZKM’ja.

Por, një gjë e tillë duket se s’ka shanse të ndodh. Nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i kanë thënë Express se ndërtimi i digës mund të fillojë brenda 3 vitesh, por se përfundimi i saj kërkon edhe tri vjet të tjera.

“Zbatimi i programit FLOËS pritet të zgjasë 29-36 muaj nga koha e ratifikimit, që shpresojmë të bëhet këtë vit. Ndërtimi do të fillon përmes fazës së dytë, FLOWS 2 dhe fondet për këtë veçse kanë filluar të mobilizohen. Ndërtimi i digës, nëse sigurohet mbarëvajtja e fazës së parë mund të fillojë brenda 3 vitesh dhe do të zgjaste po aq, 3 vite”, kanë deklaruar nga Ministria.

Lokacioni i saktë se ku do të ndërtohen digat s’dihet ende. Sipas planit të vitit 1982 ishte planifikuar të ndërtoheshin në Kremenatë, por që gjatë vlerësimit preliminar është vendosur që programi të trajtojë tërë Komunën e Kamenicës.

“Qëllimi fillestar ka qenë në Kremenatë sipas masterplanit të vitit 1982 por që gjatë vlerësimit preliminar ka dal që për shkak të ndryshimeve klimatike ka pas ndryshime hidrologjike. Prandaj, programi do ta trajtojë tërë komunën dhe do të identifikojë ku në Kamenicë do të ndërtohet diga. Nëse studimi del që ka mundësi të ndërtohen më tepër se një digë, atëherë do të përzgjidhet diga më kosto-efektive dhe dobiprurëse për komunën. Sidoqoftë, akumulimi do të jetë shumë-qëllimor, pra jo vetëm për ujë të pijes, por edhe për ujitje, menaxhim të përmbytjeve, e nëse ka edhe mundësi edhe për hidroenergji”, thuhet në përgjigjet e MMPH’së.

Nga kjo ministri kanë folur edhe për koston e mundshme të këtij projekti.

“Kostoja e fazës së parë të programit (FLOWS 1), pa përfshi koston e ndërtimit që do të jetë pjesë e fazës së dytë (FLOËS 2), është 25 milion. Kostoja e FLOËS 2 do të përcaktohet gjatë FLOËS 1, por orientimisht mund të kap vlerën deri në 40 mil. €,

Për më tepër, në bashkëveprim me Bankën Botërore, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Këshillin Ndërministror për Ujërat, Bashkimin Evropian dhe Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim janë mobilizuar gjithashtu grante shtesë për të mbuluar pjesën e butë të kredisë nga FLOËS 1 e që përmes këtyre do të liroheshin fonde për mbulimin e fazës së dytë, ndërtimin e digës – për këtë qeveria ka siguruar një zotim nga BE për të financuar deri në 50% të digës përmes grantit”, kanë deklaruar nga ministria.

Sipas MMPH’së, ky mobilizim i granteve mundëson synimin e qeverisë për të shqyrtuar menjëherë ndërtimin e një dige tjetër.

“Vlen të theksohet, se komuniteti i donatorëve i ka jep një përkrahje të madhe programit FLOËS në komunikime të vazhdueshme me Ministrinë dhe qeverinë, prandaj edhe gatishmëria e tyre për mobilizim të fondeve shtesë përmes granteve. Përveç kësaj, janë edhe 10 milionë € nga granti IPA për infrastrukturën e ujitjes që do të mund të mobilizoheshin nën FLOËS 2 si një objekt ndihmës në rrjedhën e poshtme të rezervuarit të planifikuar por kjo mbetët të vlerësohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nëse ka nevojë të përdoret në ndonjë projekt tjetër që ndërlidhet prapë me bujqësi”, thuhet tutje në përgjigjet e kësaj ministrie.

Për këtë projekt është deklaruar edhe ish-ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi. Në një përgjigje për Express, Matoshi ka thënë se krijimi i rezervave të reja ujore ka qenë prioriteti i tij i parë si ministër.

Madje, thotë se ka qenë ai që i është drejtuar me kërkesë Bankës Botërore për mundësitë e investimit në sektorin e ujërave.

“Për mua takimi I fundit në detyrën e Ministrit të Mjedisit ka qenë me Bankën Botërore për qështjen e këtij projekti për shkak të propozimeve të Bankës që fillimisht të investohet në rrjetet lokale dhe ngritjen e kapaciteteve në Anamoravë dhe pastaj të fillojnë ndërtimet. Këtë pjesë unë e kam kundërshtuar dhe kam kërkuar që në FLOËS 1 të parashihen edhe fonde konkrete për fillimin e ndërtimevetë ujëmbledhësve. Pastaj me ardhjen e qeverisë së re, negociatat për financimin I kanë vazhduar dy ministritë e linjës ajo e Mjedisit dhe e Financave dhe kanë arritur marrëvjen në mesin e vitit 2020, nga ajo kohë marrëveshje pret në Kuvend për ratifikim, ka qenë disa herë dhe nuk ka kaluar në mungesë të 2/3 të deputetëve dhe sërish tani mesa kam informata është në Kuvend për ratifikim”, ka deklaruar Matoshi.

Sipas Matoshit, po të ratifikohej marrëveshje, ndërtimet do të kishin mundur të fillonin gjatë vitit të ardhshëm.

Ai i ka kërkuar Qeverisë që ta dërgojë në Kuvend këtë marrëveshje sa më parë dhe që t’i nis negociatat me Bankën Botërore, në mënyrë që të mund të hyhet në fazën konkrete të ndërtimit.

“Kjo marrëveshjen të cilën e kam lexuar në faqen zyrtare te Kuvendit të Kosovës nuk parasheh në fazën e parë ndërtimin e digave, por e përmend se do të ketë një fazë të dytë për ndërtimin e Hidositemit Kikë – Kremenatë, tani se kur do të fillojnë ndërtimet varet nga Qeveria dhe dinamika e punës së saj, janë mbi një vit e gjysmë që nuk ka ratifikim të FLOËS1 dhe kjo është shumë e dëmshme, sepse po të kishte një dinamikë më të madhe ndërtimet do kishin mundur të fillonin në vitin 2022. Qeveria nëse është pajtuar me FLOËË1 duhet ti kërkojë Kuvendit sa më parë ratifikimin dhe në të njejtën kohë të nisë negociatat me Bankën Botërore për FLOËS2 sepse vetëm kështu mund të hyjmë në fazën konkrete të ndërtimit”, ka thënë Matoshi.

Ndryshe, për këtë projekt, ka shkruar ditë më parë edhe kryetari i ri i Kamenicës, Kadri Rrahimaj.

Ai kishte thënë se Komuna e Kamenicës dhe rajoni janë në rrugë të sigurt për zgjidhje të qëndrueshme të ujit të pijes.

“Lajm fantastik. Komuna e Kamenicës dhe rajoni në rrugë të sigurt për zgjidhje të qëndrueshme të ujit të pijes.

Mbas 40 viteve do të ketë digë të re në Kosovë, dhe pikërisht do të ndërtohet në Kamenicë. Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, si dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Rrahimaj.

Në fillim të dhjetorit, i ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane Nicholas J. Giacobbe në takimin e Ekipit të Gjelbër-Nëngrupit për Ujë të Ambasadës ka thënë se çështja e resurseve ujore në Kosovë është një temë akute dhe se duhet të jetë prioritet për Kosovën, për çka SHBA’të do të japin ndihmën e tyre.