Kurti përmend gjashtë kushtet për Zajednicën, Abdixhiku i thotë se po manipulon

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se fjalimi i kryeministrit Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës tregon që ai e ka pranuar tashmë Asociacionin duke qenë se e ka vetëm një kusht, e që kushti është se Asociacioni duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën.

Pas kësaj, ka reaguar Kurti duke thënë se është e padrejtë nga Abdixhiku që të përmendet vetëm një kusht, derisa i ka listuar edhe pesë të tjera.

“Nuk e thash një kusht, i thash 6-shtë. Është e padrejtë që nga 6 kushte të përmendet vetëm njeri. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës por janë edhe pesë të tjera. Pra unë e kundërshtoj deformimin e deputetit Abdixhiku që i reduktoj gjashtë kushtet në një kusht. Kjo mund të shpreh qëndrimin e tij por assesi qëndrimin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Pas kësaj ka reaguar kreu i LDK-së duke thënë se Kurti po manipulon, dhe se Asociacioni po bëhet.

“Asociacioni po bëhet. Këto gjashtë kushtet që po flet kanë një emër dhe mund t’i thoni respektim i Kushtetutës së Kosovës. Kaq është e thjeshtë. Ky është thelbi. Jo gjashtë po edhe 60 tjera t’i jepi, sepse Kushtetuta e Kosovës e ka përshkruar qartë. Ky është manipulim i opinionit publik dhe juve që duhet me i fshi të gjitha qëndrimet që I keni pasur deri më sot”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas Kurtit, këto janë kushtet për pranimin e Asociacionit:

Asociacioni i komunave i dalë në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).