Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po insiston që të shkohet në zgjedhje sapo të përfundojë pandemia me koronavirus.

Mirëpo, në këtë kërkesë, Vetëvendosje dhe Kurti janë të vetmit, pasi që të gjitha partitë parlamentare janë pajtuar që fillimisht të krijohet një qeveri e më pas kur të piqen kushtet të mbahen edhe zgjedhjet, shkruan Ballkani.info.

Arysetimi i Kurtit dhe VV-së është se partia fituese nuk mund të mbetet jashtë pushtetit dhe se legjitimiteti duhet t’i kthehet votuesve.

Por, deklaratat e tashmë të Kurtit me ato të vitit 2014 kanë dallim të madh.

Ballkani.info ka siguruar një video të tetorit të vitit 2014 ku Kurti fliste për shumicën parlamentare dhe se kjo sipas tij është demokratike në një shtet parlamentar siç është Republika e Kosovës.

“Jemi në një situatë kur nuk do të lëshojmë pe kurrësesi, por në të njëjtën kohë do ta na duhet që shumica parlamentare të veprojë sa më fuqishëm dhe sa më parë. Për shkak se nëse shumica parlamentare nuk i formon institucionet, atëherë cili është kuptimi i Republikës dhe i demokracisë”, deklaronte Kurti.

Ai më pas thoshte se e dinte që ka që ka pasur zëra se do të ketë edhe zgjedhje të reja dhe po të kishte mundësi të kishte zgjedhje të reja.

“Ne tash do të kishim shkuar në zgjedhje të reja, neve na kish çu PDK-ja në zgjedhje, por s’po mundet. Nuk ka as bazë ligjore e as kushtetuese, sepse formulimet juridike janë shumë eksplicite sa i përket konstituimit të Kuvendit. Pra ata e konsiderojnë garën zgjedhore si garë automobilistike se kush del i parë ta merr kupën. Zgjedhjet demokratike në Republikë është se kush e formon shumicën”, thoshte Kurti më 30 tetor të vitit 2014. /Ballkani.info/