Kryeministri

Kurti në Turqi, pritet ta takojë diasporën shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit, pritet të realizojë një vizitë zyrtare ne Turqi.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Ambasada e Kosovës në Ankara.

Sipas një komunikate për media, Kurtit do të vizitojë qytetin e Izmirit.

Aty Kurti pritet ta takojë diasporën shqiptare.

“Takimi do të mbahet me datën 5 korrik në ora 18:00, në Odën e Tregtisë së Izmirit. Takimi është i hapur për të gjithë pjesëtarët e komunitetit të diasporës në Turqi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës.

Vizitën e fundit në Turqi, Kurti realizoi gjatë muajit maj, në kuadër të Forumit të parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë, ku morën pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

I pari i Qeverisë në Turqi u prit nga presidenti, Recep Tayyip Erdogan.

Kurti, pas takimit me Erdogan, potencoi se kishin diskutuar për mundësitë e reja të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të mbrojtjes.

Në një takim që kishte zgjatur rreth dy orë, Kurti njoftoi se janë diskutuar edhe marrëdhëniet dypalëshe në mes të Kosovës dhe Turqisë.

Për takimin në Ankara, fillimisht ishte deklaruar Erdogan, i cili kërkoi që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim konkret në raport me marrëdhëniet e tyre dypalëshe.

Sipas një komunikate për media e lëshuar nga Zyra e Presidentit të Turqisë, bëhej e ditur se takimi ishte përqendruar në qëllimin e rritjes së vëllimit tregtar midis Turqisë dhe Kosovës.