Albin Kurti

Kurti në Shkup, merr pjesë në takim rajonal të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropiane

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti, që është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje mori pjesë në një takim rajonal të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropiane (PSE).

Në njoftim bëhet e ditur se me ftesë të Fondacionit gjerman Friedrich Ebert (FES), kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, sot mori pjesë në takimin rajonal me udhëheqës të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropian (PES), që u mbajt në Selinë e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në Shkup,

“Çështje qendrore e diskutimeve ishte jetësimi i zgjerimit të Bashkimit Evropian marrë parasysh realitetet e reja gjeopolitike, avancimi i agjendës socialdemokratike në Ballkanin Perëndimor dhe mobilizimi kundër rrezikut prej frymës në rritje të ekstremit të djathtë në Evropë”, thuhet në njoftim.

LVV thekson se të pranishëm në këtë takim, krahas kryeministrit Kurti dhe bashkë-drejtuesit të SPD gjermane, Lars Klingbeil ishin drejtues dhe përfaqësues të lartë të partive simotra nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi.

Gjatë këtyre takimeve, kryeministrit Kurti ishte i shoqëruar nga drejtuesi i Sekretariatit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të LV-së, njëherit ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

VIDEO BONUS: Adresimi i plotë, i përkthyer në shqip, i Albin Kurtit në mbledhjen mbrëmshme të KS së OKB-së