Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar takimet e shumta në Sarajevë, ndërsa gjatë ditës ka vizituar edhe selinë e Partisë për Bosnjë e Hercegovinë, ku është pritur nga kryetari Semir Efendiq dhe një delegat në Dhomën e Popullit të Parlamentit të Bosnjës dhe Hercegovinë, Xhemal Smajiq.

“Në një atmosferë miqësore, diskutuam për mundësitë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës, gjë që pengohet dukshëm nga fakti se vetëm Bosnja dhe Hercegovina nga vendet e rajonit, së bashku me Serbinë, nuk e njohën Kosovën dhe mos vendosja e bashkëpunimit diplomatik, e gjitha kjo për shkak të sistemit kompleks të vendimmarrjes në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha SBiH, transmeton Ballkani.info.

Përkundër kësaj, kryeministri Kurti mori vendim për anulimin e njëanshëm të vizave për qytetarët e Bosnje-Hercegovinës dhe në këtë mënyrë tregoi mirëkuptim dhe marrëdhënie miqësore që Bosnje-Hercegovina duhet t’i përgjigjet në mënyrë reciproke.

Më herët gjatë ditës së sotme, Kurti u takua me anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, më pas me kryeministrin e FBeH-së Nermin Nikshiq, nënkryetarin e FBeH-së Refik Lenda, kryetarin e SDA-së, Bakir Izetbegoviq, si dhe vizitoi Memorialin e fëmijëve të vrarë të Sarajevës. /Ballkani.info/