Kurti në Bruksel e pranoi Zajednicën, në Prishtinë thotë: Asociacioni një-etnik s’është i mundur

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë sot se pret që të arrihet një marrëveshje në takimin e ardhshëm me presidentin serb Aleksander Vuçiq në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe ka hedhur poshtë edhe një herë mundësinë e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne deshëm ta nënshkruanim marrëveshjen më 27 shkurt. Fatkeqësisht, presidenti Vuçiq nuk deshi ta (nënshkruan atë). Kjo marrëveshje bazë e propozuar nga Bashkimi Evropian është një bazë solide për të ecur përpara dhe shpresoj që më në fund do ta arrijmë më 18 mars”, ka thënë Kurti për Euronews, transmeton Beta.

Kryeministri i Kosovës ka ripërsëritur qëndrimin e tij se kërkesa e Serbisë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, nuk do të përmbushet.

“Unë jam këtu si kryeministër i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga identiteti i tyre kombëtar, përkatësia etnike apo fetare. Prandaj, dua t’i kënaq të gjithë qytetarët në përputhje me të drejtat, nevojat dhe dëshirat e tyre. Për shkak të rendit juridik të shtetit tonë demokratik, zgjidhjet monoetnike nuk janë të mundshme”, ka potencuar Kurti.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak të enjten gjatë vizitës në Kosovë takoi presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar aneksin e zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Lajçak takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e quajti konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm, gjersa në një deklaratë para gazetarëve theksoi se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst”, ka theksuar Lajçak.