Në vitin 2018, Albin Kurti e kishte cilësuar punëtorin kosovar si “Gojëkyçur”, duke krahasuar trajtimin e rasteve të vdekjeve të tyre me personazhet në librin “Gojëkyçurit” të filozofit francez Albert Kamy.

Ai, kritikonte shtetin për kushtet e punës dhe vdekjet e punëtorëve.

“‘…të bëje sërish të njëjtën rrugë, çdo mëngjes, me lodhjen që shtohet, për të marrë atë që u teket të të japin, dhe që përherë e më tepër nuk mjafton. (…) Zemërimi dhe pafuqia shpesh shkaktojnë aq shumë dhembje, sa nuk bërtet dot’. Të këtillë, si ‘Gojëkyçurit’ e Albert Camus, ngjajnë punëtorët në Kosovë”, shkruante Kurti.

“Pardje, vdiq edhe një shok i tyre pa emër. Edhe një palë iniciale më shumë në lajme, edhe një mbledhje më shumë në ministri. Në anën tjetër, punëtorë me pak sindikata dhe sindikata me pak punëtorë. Gjersa në Bashkimin Evropian edhe vdekjet aksidentale problematizohen në krime, te ne edhe vrasjet natyralizohen: prej rënies së punëtorit nga skela pa mbrojtje e deri te burri i marrë që vret gruan e tij”, ka shtuar ai.

Tetë vjet më vonë, Kurti është kryeministër i Kosovës, ndërsa brenda vetëm tri ditësh, tre punëtorë kanë humbur jetën në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Kurti, i cili në opozitë kërkonte përgjegjësi për çdo punëtor të vdekur, sot po heshtë për vdekjet e punonjësve në ndërmarrjet publike, që bien direkt nën përgjegjësinë e qeverisë së tij.

Haxhi Gojnovci, punonjës i KEK-ut, vdiq të dielën rreth orës 20:30.

Sipas KEK-ut, ai ishte duke kryer detyrat e punës dhe po lëvizte në zonën e ekskavatorit në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, kur pësoi një aksident të rëndë.

Një tjetër punëtor i KEK-ut vdiq sot më 20 gusht.

Sipas raportimit të mediave, ai dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik gjatë punës.