Lëvizja Vetëvendosje thotë se dërgojnë lule vetëm tek varrezat e dëshmorëve të kombit dhe nuk dërgojnë lule tek varret e politikanëve siç ishte Ibrahim Rugova, i cili ishte president i parë i kosovarëve. Por, Kurti faktikisht kishte dërguar lule tek varri i një presidenti tjetër, gjithashtu i parë, por i boshnjakëve, transmeton Ballkani.info.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, duke i komentuar deklaratat e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili kishte thënë se nëse Vetëvendosje dëshiron koalicion me LDK-në, atëherë duhet të dërgojnë lule tek varri i Ibrahim Rugovës, ka thënë se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Ne dërgojmë lule tek dëshmorët e kombit, siç është Adem Jashari e Zahir Pajaziti e të tjerët, por për politikanë siç ishte edhe zotëri Rugova ne nuk e kemi praktikuar, nuk është që e kemi kundërshtuar, por nuk e kemi praktikuar thjeshtë”, ka thënë Haxhiu duke taktizuar në përgjigjen e saj.

Megjithatë, e vërteta është që lideri i deputetes Haxhiu, Albin Kurti, kishte dërguar lule tek varri i një presidenti, por te varri i ish-presidentit boshnjak, Alija Izetbegovic.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deri më tash asnjëherë nuk e ka vizituar varrin e presidentit Ibrahim Rugova, por me ndryshimet drastike që ka nisur t’i bëjë, sigurisht se në të ardhmen do ta vizitojë edhe varrin e presidentit historik. /Ballkani.info/