Kurti indiferent ndaj ndryshimit të prioriteteve të ndërkombëtarëve: Biden e Scholz kërkuan njohjen reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas Forumit Ekonomik Kosovë-Serbi, përpara gazetarëve ka neglizhuar ndryshimin e kontekstit politik dhe prioriteteve të ndërkombëtarëve, duke përmendur deklaratat e përpara një viti të presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe atë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

“Mirëpo, për normalizim të marrëdhënieve, që na shpie më afër Bashkimit Evropian, nevojitet njohja reciproke në qendër, jo Asociacioni në qendër, as parakusht, por njohja reciproke në qendër. E ka thënë Joe Biden, e ka thënë kancelari Scholz”, deklaroi Kurti, shkruan Demokracia.com.

I pyetur për deklarimin e Lajçak se Kurti është dakorduar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ai ka ripërmendur që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

I njëjti e ka vlerësuar jo si të drejtë shmangien e rendit hierarkik të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Parashikimet, analizat janë të rezervuara për emisione televizive të mbrëmjes. Unë po ua tregoj qëndrimet e RKS si kryeministër i saj, e që jam i bindur që është edhe interesi i popullit të Kosovës dhe e drejta demokratike në bazë të kushtetutshmërisë. Unë nuk mund të bëjë komente për z. Lajçak. Ajo çfarë i kam thënë atij mbrëmë është që 33 marrëveshje në dekadën para se unë të vij në pushtet janë në rrafsh horizontal, nuk kanë hierarki. Nuk mund të zgjedh një marrëveshje prej tjetrës. Propozimi franko-gjerman i ka 10 nene, nuk mund ta marrësh asnjërin nen në shpërputhje me renditjen që ka, sepse është e padrejtë. Duhet ta kuptimi që ndërmjetësit ndërkombëtarë vijnë me kërkesa të palës tjetër dhe kërkesat e palës tjetër janë në masë të pa arsyeshme dhe irracionale”, deklaroi ndër të tjera i pari i Qeverisë.

“Marrëveshjet e Brukselit përmenden jo vetëm në propozimin franko-gjerman por po ashtu edhe në kornizën e përgjithshme të marrëveshjes me gjashtë kapituj që kam prezantuar unë në Bruksel. Unë nuk e mohoj që paraardhësit e mi kanë bërë një marrëveshje, por ajo marrëveshje s’ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Në Pragë të Republikës Çeke e kam dërguar aplikimin për anëtarësim të Kosovës në BE. Pesë ditë para se ta dorëzojë aplikimin e Kosovës, presidenti i Serbisë ka shkruar letra ndaj 5 shteteve të BE-së mos njohëse dhe u ka thënë ta refuzojnë aplikimin e Kosovës”, vijon ai.

Tutje, shefi i ekzekutivit kosovar ka çuditur paksa opinionin kur e ka përmendur si “arsye joshëse” për pesë shtetet mos-njohëse të BE-së ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për njohje të sovranitetit të Kosovës.

“Unë besoj që z. Javier Solana është një argument i fuqishëm që Spanja ta ndryshojë qëndrimin dhe ta njohë Republikën e Kosovës. Për këtë, ne kemi nevojë për mbështetja nga Parisi, Londra, Roma e Washingtoni dhe secili shtet që na ka njohur. Pesëshja mos-njohëse, me qeverinë e re dhe sidomos pas ndërhyrje agresive të Rusisë në Ukrainë, do të duhej ta njohin Kosovën, t’i bashkohen shumicës së vendeve anëtarë të BE-së. Propozimi i BE-së, qysh në shtator e kemi thënë, është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme”, deklaroi më tej kryeministri.