“Kurti është menaxher i dobët i parasë publike, 700 milionë euro qëndrojnë pa nevojë në BQK”

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri ka deklaruar se afër 700 milionë euro vazhdojnë të qëndrojnë pa u shfrytëzuar. Si pasojë e kësaj, Shatri ka thënë se 140 milionë euro të parasë publike kanë shkuar dëm, si shkak i inflacionit në Kosovë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shatri ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i dobët në menaxhimin e parasë publike.

Sipas Shatrit duhet një plan i qeverisë për një dinamikë më të shpejtë të zhvillimit ekonomik në mënyrë që vendi të dalë prej kësaj situate.

Duke folur për gjendjen në Kosovë, Shatri shton se ekonomia është duke u dëmtuar edhe në mënyrë të tërthortë, shkaku i ndërprerjes së shumë ndërmarrjeve.

“Dëmi që po i bëhet vendit, 200 milionë kanë dështuar në investime kapitale, duket që minimalisht këtë vit do të dështojnë me 500 milionë. Pra 700 milionë euro flenë në Bankën Qendrore në këto kushte e inflacionit që është 20 për qind. Pra 140 milionë euro të parasë publike kanë shkuar dëm, pra një menaxhim i dobët i parasë publike”, u shpreh Shatri, duke thënë se dëm është shkaktuar edhe në mënyrë të tërthortë.

“Dëmi i tërthortë po ashtu i madh është se kompanitë që kanë pasur kontrata për të kryer punë, iu ka ndërprerë financimi, i kanë larguar punëtorët dhe tashmë ato ndërmarrje kanë humbje e gjithashtu edhe punëtorët që kanë mbetur pa paga, pra ka humbje edhe konsumi publik, pra njerëzit nuk kanë potencial të dalin në treg e të qarkullojnë”, u shpreh ai.

Shatri ka dhënë kritika edhe në mënyrën sesi po trajtohet Ligji i Pagave. Ai konsideron se i njëjti ka nisur nga fillimi, për të cilën thotë se kanë pasur të gatshëm nga ish-qeveria Haradinaj.

“Pjesa e investimeve kapitale është një sektor tjetër, por pjesa e pagave në buxhetin e shtetit është pjesë në vete e që është kryesore e shpenzimeve buxhetore. Ligji i Pagave i cili ka qenë i përgatitur e i proceduar në mandatin paraprak e që për shkak të disa vërejtjeve formale që janë bërë, është pezulluar në disa pika e jo në tërësi. Pra kjo Qeveri ka mundur t’i adresojë ato vërejtje dhe me apliku ashtu siç i ka kërkuar Gjykata Kushtetuese”