Kurti e cakton Flamur Kadriun u.d. të kryeshefit të AUV-it, shfuqizon vendimin për Naser Krasniqin

Flamur Kadriu, drejtor i Drejtoratit për Shërbimin Publik brenda Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë është caktuar ushtrues detyre i kryeshefit të kësaj agjencie.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës për këtë vendim, bëhet e ditur se kryeministri Albin Kurti ka shfuqizuar vendimin e shkuar përmes së cilit Naser Krasniqi, si zëvendëskryeshef i AUV-it ishte autorizuar t’i kryente detyrat e kryeshefit.

Sipas njoftimit, Ligji për Zyrtarët Publikë s’parasheh pozitë të tillë dhe “rrjedhimisht, me qëllim të sigurimit të zbatimit të rendit dhe ligjit, kryeministri ka shfuqizuar Vendimin që ka humbur bazën ligjore dhe ka caktuar ushtrues të ri të detyrës të Kryeshefit të AUV-it”.

Njoftimi thekson se Kadriu do t’i kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e kryeshefit deri në shpalljen e rezultateve të konkursit për emërimin e kryeshefit të AUV-it.