Albin Kurti

Kurti bën homazhe te varri i ish-presidentit Rugova, e vlerëson lartë kontributin e tij për shtetin e Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Kurti para mediave tha se në 18 vjetorin e vdekjes së Rugovës, e kujtojnë atë për rolin e dhënë për shtetin e Kosovës.

“Sot në 18 vjetorin e ndarjes nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezidencës së vjetër. Si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallë kush ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore në vitet e 90’ta”, deklaroi Kurti.

​Ndryshe, sot janë bërë 18 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

VIDEO BONUS: Pastrimi i borës në segmentin Kukës-Has nga kompania e njohur Arbotec