Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur për zgjedhjet e 3 prillit që Serbia ka kërkuar të mbahen edhe në Kosovë.

Kurti i pyetur nëse këto zhvillime do të ndikojnë edhe në procesin e dialogut ka thënë se nuk e di nëse këtë çështje, por ka potencuar se pala kosovare është e gatshme për dialog.

Kurti ka komentuar edhe reagimin e BE-së për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, por ka thënë se Serbia nuk ka qenë e gatshme për marrëveshje.

“Zhvillimet rreth zgjedhjeve nuk e di sa do të ndikojnë në dialog. Kur të na ftojnë ne jemi të gatshëm të angazhohemi me përkushtim dhe seriozitet. Nuk do të thosha që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve, por e vërteta është se nuk ka marrëveshje që paraqet kushtin për mbajtjen e atyre zgjedhjeve. BE-ja nuk ka qenë i lumtur që unë nuk kam pranuar që gjithçka të përmbyllet përbrenda një letërshkëmbimi të zgjeruar nëpërmjet zyrtarëve ndërlidhës.”, tha Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Kurti ka komentuar edhe paralajmërimet e serbëve të Kosovës për protesta gjatë së premtes në Kosovë.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve serbe të mos dalin në këtë protestë, e cila siç ka thënë ai nuk është rruga e duhur për të ecur përpara.

E pashë që është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë dje në Serbi. Sot më erdhi informacioni se po përgatiten edhe protesta. Nuk mendoj se protestat janë të nevojshme për këtë çështje. Do t’i kuptoja të protestonin kundër korrupsionit, për arsim më të mirë. U bëj thirrje serbëve në Kosovë të mos organizojnë e marrin pjesë në protesta të tilla. Unë jam organizator i madh i protestave nga e kaluara ime, por me rrethanat në të cilat jemi protestat nuk janë rruga për të ecur përpara”, u shpreh Kurti.