Kurdisje të ndeshjeve në Superligë? Ky është reagimi i Bylbyl Sokolit

Trajneri dhe profesori i futbollit Bylbyl Sokoli beson se formati i ri i garave në Kosovë do t’i zvogëlojë gjasat që të ketë kurdisje, pasi që klubet do të jenë në garë më të zjarrtë për mbijetesë dhe dalje në Evropë.

Sonte në emisionin “Favorit” në T7 të ftuar janë të ftuar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, trajneri e profesori i futbollit Bylbyl Sokoli dhe komentatori i Super Sport Kosovës, Leart Sveqla.

FFK-ja kishte bërë të ditur para pak kohësh se e ka ndryshuar sistemin e garave për sezonin e ardhshëm. Për dallim nga sezonet e kaluara, nga Ipko Superliga do të bien katër klube, pasi që prej sezonit të ardhshëm do të garojnë vetëm dhjetë klube, në krahasim me 12 që merrnin pjesë në sezonet e kaluara.

Për më tepër, FFK-ja pret që sezonin e ardhshëm të garojë në Evropë me tri klube. Kjo bën që tri nga dhjetë klubet e Ipko Superligës të kenë mundësi të dalin në Evropë, ndërsa dy të bien menjëherë nga liga.

Sokoli beson se ky format do të ndikojë që të mos ketë akuza për kurdisje, siç kishte ndodhur sezonin e kaluar me disa ndeshje të rëndësishme të xhiros së parafundit të Ipko Superligës së Kosovës.

“Sistemi i ri i garave, me nga 10 skuadra është i qëlluar sipas mendimit tim, pasi që ky sistem nuk lë hapësirë për kalkulime, më kuptoni… për manipulime të mundshme sepse të gjithë kanë interesa të ndryshme”, ka thënë Sokoli në “Favorit”.

“Po mendoj se në një ligë po 30 për qind do të hynë në Evropë, 20 për qind të ekipeve bien nga liga, 50 për qind të klubeve janë në luftë për ekzistencën e vet, kurse 50 përqindëshi tjetër kërkon hapësirën apo gjasë që të jetë pjesë e Evropës”.

Megjithatë, ende nuk është e sigurt se a do të garojnë tri klube nga Kosova në Evropë, pasi që gjithçka varet nga kuota që kampionati kosovar do t’i marrë në raportin e ri të UEFA-s.