Mirosllav Lajçak

“Kur s’të pëlqen lajmi, e sulmon lajmëtarin”: Lajçak i përgjigjet Kurti se po anon kah Serbia

Duke folur në një panel që i dedikohet të ardhmes së Ballkanit Perëndimor, emisari i BE-së për dialog Mirosllav Lajçak është pyetur për akuzat e Kurtit se po anon kah Serbia. Përgjigja e tij është mjaft interesante.

Moderuesja i shtroi pyetjen në këtë formë:

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ju jeni duke marrë pozicionin kundër Kosovës dhe se po anoni me Serbinë. Si i përgjigjeni një akuze të tillë? Ai ishte shumë direkt. Dhe a është ky problem për të ardhmen e dialogut.”

Emisari Lajçak – për të cilin është përfolur se mund të largohet nga pozicioni që mban – u shpreh në këtë formë:

“E dini, kur s’ju pëlqen lajmi provoni ta sulmoni lajmëtarin. Kështu funksionon,” – nisi përgjigjen e tij ai.

Kjo përgjigje u mbyll me fjalët: “Dialogu ka qenë këtu prej 2011-s, ka pasur qeveri të ndryshme në Serbi e Kosovës, përfaqësues të ndryshëm nga BE-ja, dhe dialogu është vendi i vetëm sepse fakti është i thjeshtë: s’ka të ardhme evropiane pa normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.”