Kur pritet të qartësohet e ardhmja e tij si futbollist, Neymar bëhet pjesë e serialit “La Casa de Papel”

Ylli brazilian i Paris Saint-Germainit, Neymar, është bërë pjesë e kastës së serisë “La Casa de Papel”, që është njëra ndër seritë e preferuara të tij.

Deri më tani ende nuk është marrë asnjë vendim për të ardhmen e karrierës si futbollist të Neymarit. Megjithatë, ylli brazilian është konfirmuar se do të jetë pjesë e serisë së famshme “La Casa de Papel”.

27-vjeçari do ta ketë rolin e një prifti në disa episode të sezonit të tretë të serisë së famshme të Netflixit.

Në nëntor të vitit të kaluar, futbollisti e publikoi një fotografi në rrjetet sociale, ku ai shihej i veshur me një kostum të kuq dhe me një maskë “Dali”, bashkë me bashkëlojtarin e tij në PSG, Kylian Mbappe.

Neymari do të paraqitet në episodin e gjashtë dhe të tetë të sezonit të fundit. Këto episode fillimisht u transmetuan pa pjesën e Neymarit në korrik, për shkak se pritej vendimi i gjykatës për akuzat për abuzim seksual të shtruara ndaj tij.

Sapo u mbyllën hetimet për këto akuza ndaj tij për shkak të mungesës së provave, Netflixi i rishtoi skenat ku përfshihet edhe futbollisti, në mënyrë që shikuesit të mundë ta shikojnë këtë seri të plotë.

Produksioni spanjoll, që i shfaq planet ambicioze të një grupi kriminal, theu rekorde për shikueshmëri me sezonin e tretë, duke i regjistruar më shumë se 24 milionë shikues në botë qysh në shtatë ditët e para pas premierës.

Skenat e futbollistit brazilian, të cilat do t’i shtohen episodeve të sezonit të tretë, ishin xhiruar në fillim të këtij viti.

loading…