Kur Osmani i thoshte VV-së: Unë e Lumiri kurrë nuk vijmë te ju, jeni brum i PDK-së

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon ta përkrah Lëvizjen Vetëvendosje, në krye me liderin e saj, Albin Kurti.

Madje, Osmani ishte edhe kundër mocionit të mosbesimit që partia e saj inicoi në kuvend për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Mirëpo, dikur Osmani e kritikonte ashpër VV-në.

Në seancën ku po diskutohej për buxhetin e vitit 2017, Osmani kishte replikuar me deputeten e VV-së, Shqipe Pantinën, duke ia bërë të qartë asaj se nuk do të kalojë në Vetëvendosje.

“Shqipe, po më vjen interesant sa shumë të paskan dhimtë këto replika tona me PDK-në. Vërtetë je ka e dëshmon katërcipërisht se jeni po ai brumi i njëjtë. Vetëm shiko sa ish-deputetë të PDK-së ke përreth. Shiko, sa ish-LPKistë ke përreth dhe do ta marrësh përgjigjen pse unë e Lumiri, jo sot, por kurrë nuk do të vijmë në Vetëvendosje”, kishte thënë Osmani.