Pas konstituimit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës në krye me Jusuf Zenullahun, më 8 dhjetor (1989) Isa Mustafa dhe anëtarët tjerë të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (KEK), dhanë betimin solemn.
Për ceremonin e betimit, ka shkruar edhe gazeta “Rilindja”, në artikullin me titull: “DJE DHANË DEKLARATËN SOLEMNE ANËTARËT E RINJ TË KEK. KËSHILLI EKZEKUTIV – ME PROGRAM TË DALJES NGA KRIZA”, raporton Ballkani.info.
“Akti i betimit u bë para Kryetarit të Kuvendit të KSA të Kosovës Gjorgje Bozhoviq, Kryetarit të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës Rrahman Morina, Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës Isen Kaldomçaj, Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Hysamedin Azemi dhe Kryetarit të KK LSPPK Daut Jashanica”, shkruante aso kohe “Rilindja”.
Para Isa Mustafës, aktualisht kryetar i LDK-së dhe ish kryeministër i Kosovës, dhe të tjerëve që u betuan atë ditë, Gjorgje Bozhoviq foli me gjuhë të ashpër dhe njëjtë si Sllobodan Millosheviqi, duke i akuzuar shqiptarët për nacionalizëm dhe seperatizëm.
Ai në fjalimin e tij kërkonte që të zbatohej Kushtetuta e re e Serbisë, që u finalizua më 28 mars 1989 në Beograd nga nomenklatura politike serbe në krye me Sllobodan Millosheviqin!
Kjo Kushtetutë bëri që shqiptarët më pas të pësonin rëndë nga regjimi i Millosheviqit, i cili mori fund dhjetë më vonë duke lënë të vdekur mijëra shqiptarë dhe duke kryer gjenocid në Kosovë. /Ballkani.info/
Dëshmi: Lexoni faksimilin e gazetës “Rilindja”, 9 dhjetor 1989, në foto Isa Mustafa (i pari nga e majta)








