Kryetari i Partisë Kristiansociale, CSU, i cili është edhe Ministër i Brendshëm Federal, Horst Seehofer, i është nënshtruar presionit që po i bëhet brenda partisë. Ai ka thënë se viti i ardhshëm do të jetë “viti i të rejave” dhe se do t’ i dorëzojë të dy postet që mbanë.

Kjo ndodhi si reagim ndaj atmosferës së keqe në bazën e partisë.

“Viti 2019 do të jetë viti i risive për CSU”, ka thënë Horst Seehofer në këshillimet e zhvilluara në rrethet e ngushta drejtuese të partisë në Mynih, bëjnë të ditur pjesëmarrësit.

Sipas të informacioneve në mbledhjen e partisë të zhvilluar të dielën në mbrëmje, gati të gjithë kryetarët e rretheve kanë marrë fjalën dhe kanë informuar për atmosferën e shkatërruar në bazë.

Një nga pjesëtarët e takimit tregoi se “kjo ishte shumë e qartë”.

Seehofer me sa duket nuk ka qenë i përgatitur që fjalimet të kenë një forcë të tillë.

Seehofer bëhet nga partia e tij përgjegjës për humbjet masive të partisë CSU, në zgjedhjet e landit të Bavarisë, të mbajtura në muajin tetor. Atij po ashtu i është ngarkuar faji për grindjet e ashpra me partinë simotër, CDU, dhe kryetaren e partisë, kancelaren Angela Merkel në pranverën e shkuar, si dhe “dorëheqje nga dorëheqja” e fillimit të korrikut.

Dorëheqje me etapa?
Një kryetar i ri partie do të zgjidhet në Kongresin e partisë që pritet të mbahet në fillim të 2019-es, në janar ose maksimumi në shkurt, bëhet e ditur. Një datë konkrete, kur do të dorëzojë postin si ministër, Seehofer nuk e ka dhënë. Por, 69 vjeçari bëri të qartë, sipas mediave, se pa kryesinë e partisë ai nuk do të qëndrojë as ministër.

Seehofer vetë nuk ka dhënë deklarata pas takimit të kryesisë së CSU. Por, ai ka bërë të ditur se do të japë shpjegimet gjatë javës në vijim. Si kandidati më i mundshëm për postin e kryesisë së CSU, vlerësohet të jetë kryeministri bavarez, Markus Söder. 51-vjeçari do marrë postet e Seehoferit për herë të dytë, pasi i mori atij postin e kryeministrit të landit, në muajin mars.

Nuk është e qartë kush do të marrë nga Seehofer postin e Ministrit të Brendshëm. Duke pasur parasysh këtë, kryetarja e fraksionit të të gjelbërve, Katrin Göring-Eckardt, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të tij.

“Çdo ditë që Seehofer qëndron në post si Ministër i Brendshëm, është ditë e tepërt”, ka thënë ajo për gazetën e Berlinit “Tagesspiegel”.

“Nëse kemi të bëjmë me sigurinë e brendshme të vendit, nuk duhet të ketë zvarritje të tjera”, ka shtuar ajo.

Ministri i Brendshëm Federal i Gjermanisë, Horst Seehofer, është një prej kundërshtuesve më të mëdhenj të liberalizimit të vizave për kosovarët.