Kukësi i hoqi titullin “Qytetar Nderi”, Rama reagon për Veton Surroin: Vendimi i Këshillit, lajthitje kolektive

Kryeministri, Edi Rama ka reaguar në lidhje me heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, nga Këshilli i Qarkut të Kukësit.

Rama e ka cilësuar këtë vendim si lajthitje kolektive, ndërkohë që ka shtuar se shpreson që prefekti i qarkut të mos e pranojë kërkesën e këshillit.

Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.

Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd!“, ka shkruar Rama në Twitter.

Publicistit dhe politikanit Kosovar Veton Surroi, iu hoq titulli “ Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë nga Këshilli i Qarkut Kukës në vitin 2015. 

Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e radhës të mbajtur sot pas pretendimeve se ka zhvilluar fushatë kundër UÇK.