Trajneri i xhudos Driton Kuka, u ka bërë thirrje politikanëve kosovarë të bëjnë më shumë për sportin e xhudos, në mënyrë që ta shpërblejnë atë për njohjen dhe vlerësimin që ia ka sjellë vendit nëpër botë.
Kuka ka gëzuar sukses dhe vlerësim të madh ndërkombëtar duke i udhëhequr xhudistët kosovarë drejt arritjeve të mëdha në sportin e xhudos në botë.
Me tri medalje të arta të fituara nga Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, si dhe një të argjendtë të fituar nga Nora Gjakova, Kosova ishte vendi më i suksesshëm, i pari në turneun Grand Prix këtë fundjavë në Tashkent të Uzbekistanit.
“Sporti i xhudos ka bërë më shumë se politika, por pres që edhe politika të bëj më shumë për xhudon”, theksoi Kuka në një konferencë për media të organizuar në Aeroportin ‘Adem Jashari’ pas mbërritjes së xhudisteve në atdhe.
“Kthehemi nga një garë ku arritëm suksese të mëdha. Në tri javë rresht të fitohen kaq medalje në gara botërore, është arritja më e madhe e sportit kosovar”, pohoi Driton Kuka.







