Kuka për suksesin e Krasniqit në Pragë: Medalje e një rëndësie të madhe

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, përmes një postimi në Facebook ka shprehur gëzimin e tij për suksesin e sotëm të Distria Krasniqit në Kampionatin Evropian në Pragë.

Krasniqi, në kategorinë 48 kilogramë, arriti të rrëmbejë medaljen e bronztë në Evropian duke e mposhtur për këtë medalje francezen Melanie Clement me ippon.

Kuka e ka quajtur vit të rëndë për sportin në nivel global.

“Medalja e parë elitare për Kosovën në vitin me të rëndë për sportin në nivel globi. Distria e bronztë në Kampionatin Evropian. Sukseset e xhudos pavarësisht rrethanave që e kanë zvogëluar ekipin prej 9 garuesve në vetëm tre prej tyre po vazhdojnë”, ka thënë Kuka.

Ai ka shtuar se kjo medalje i kushtohet ekipit.

“Medalje që për mua ka rëndësi të madhe, për ekipin që me aq përkushtim e priti këtë garë por mbetën shumica në shtëpi, kjo medalje është e krejt ekipit tonë që do vazhdojë tutje me suksese e medalje edhe për shumë kohë. Kjo flet mjaft. Kosova mbi të gjitha”, ka thënë Kuka

Kurse sot Flaka Loxha u mposht në luftën e dytë në kategorinë deri 57 kilogramë. Ndërsa nesër garon Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë.