Trajneri i xhudos, Driton Kuka, është shprehur mirënjohës për mbështetjen nga Ministria e Sportit, Kulturës dhe Rinisë, duke i theksuar arritjet e xhudistëve kosovarë gjatë viteve të fundit.
Ministri Kujtim Gashi nënshkroi sot memorandume bashkëpunimi me trajnerin Kuka, dhe sportistët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Shpat Zeka, Erza Muminoviq dhe Laura Fazlia.
Ne bazë të këtyre momerandumeve për bashkëpunim, MKRS-ja do t’i ndajë afër 80 mijë euro për sportistët dhe trajnerin Kuka.
“Sot i nënshkruam memorandumet e përkrahjes sipas kategorizimit për Sportistë dhe trajnerë me ministrin Gashi! Dinjiteti i Sportistëve dhe trajnerëve me kategorizim është finalizuar me ministrin Gashi dhe jemi mirënjohës”, shkruan Kuka në llogarinë e tij në Facebook.
“Ekipi ynë i ka sot për sot 5 Norma Olimpike dhe besojmë që këta do të konfirmohen për Tokyo 2020! Majlinda,Nora,Disi,Akili e Loriana sot janë emra botërorë dhe shtetin e popullin tonë po e bëjnë krenar tash e 15 vite”, shtoi trajneri i xhudos.







