“Kujt po i pengojnë dëshmorët?”, OVL e UÇK-së në Kamenicë reagon për largimin e fotografive të dëshmorëve nga Shtëpia e Kulturës

Largimi i një baneri më fotografitë e dëshmorëve të Karadakut, i vendosur në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë, ka ngritur tensione ndërmjet komunës dhe degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në këtë komunë.

Përderisa nga OVL e UÇK-së janë indinjuar nga heqja e banerit me fotografitë e dëshmorëve, nga komuna thonë se në të ka pasur gabime në datat e lindjes së dëshmorëve dhe pas përmirësimit do të vendoset në sheshin e qytetit.

Demokracia.com ka kontaktuar me kryetarin e OVL-së së UÇK-së në Kamenicë, Milaim Limoni. Ai ka thënë se sipas informacioneve të tij, fotografitë e dëshmorëve janë larguar me urdhër të Drejtoreshës së Kulturës, Rina Matoshi.

“Po, nuk po e di saktë. Ju ka thënë drejtoresha më gjasë. Arsyetimi ka qenë s’e kanë vendin këtu. Është dashur të konsultohen me neve, sepse i kemi vënë në bashkëpunim me komunën. Kujt po pengojnë këta dëshmorë?”, ka thënë Limoni për Demokracia.com.

Demokracia.com, po ashtu, ka kontaktuar edhe me drejtoreshën Matoshi.

Ajo ka thënë se kjo çështje po banalizohet dhe disa persona po tentojnë që të përfitojnë vëmendje nga kjo situatë.

Matoshi ka theksuar se baneri është larguar meqë në të ka pasur gabime teknike.

Ajo ka thënë për Demokracia.com se ky baner do të përmirësohet dhe do të vendoset në sheshin e qytetit, ku edhe ka qenë ideja fillestare, mirëpo për shkak të punimeve në këtë shesh është dashur të vendoset në Shtëpinë e Kulturës.

“Nuk ka ndonjë arsye. Këtu është pak njëfarë banalizimi i çështjes. Janë disa persona që duan të përfitojnë vëmendje prej një lloj situate. Ai baner është vendosur për ditën e çlirimit të Kamenicës. Nuk ka qenë pikësynimi me vendos aty. Kemi kërkuar të vendoset diku në shesh, por për shkak se aty po zhvillohen punime, ishte vendosur në objektin e Shtëpisë së Kulturës. Në datat e lindjes dhe vdekjes të dëshmorëve, të cilët i respektojmë dhe u jemi falënderues përjetësisht, ka gabime dhe për këtë arsye ato do të përmirësohen. Baneri është hjek që dy javë, nuk është hjek me qëllim që të provokohet dikush qysh po paraqitet në publik. Është thjesht një lajm jo i drejtë, që të nxiten komente kundër qeverisjes, të cilat nuk vlejnë aspak”, shtoi ajo.

Drejtoresha Matoshi ka thënë se pas përmirësimit, baneri do të vendoset në shesh.

“Këtë baner e ka përgatit kryetari i degës së OVL-së së UÇK-së dhe është financuar nga komuna. Mirëpo vetë kryetari i OVL-së ka bërë gabime teknike që duhet të përmirësohen dhe ai baner do të vendoset në një vend më të denjë. Kemi planifikuar ta vendosim në sheshin e qytetit”, tha ajo për Demokracia.com.