Kthimi i Zenelit nga lëndimi, gëzon Stade de Reimsin dhe Kosovën

Arbër Zenelit i duhet të presë edhe dy javë për t’u kthyer pas lëndimit që e mbajti jashtë fushës për gati tetë muaj.

Zeneli ishte lënduar më 7 qershor në ndeshjen që Kosova e zhvilloi kundër Malit të Zi në Podgoricë, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian, që do të mbahet gjatë kësaj vere.

Por, ai pritet të jetë në mesin e lojtarëve të ftuar te Stade de Reims për ndeshjen kundër St. Etienne, ndeshje e cila luhet më 23 shkurt, kanë bërë të ditur burime të “Sportit në KTV”.

“Më 23 shkurt Arbër Zeneli do të jetë i gatshëm për lojë. Ai është duke u stërvitur maksimalisht me ekipin dhe është një lajm i mirë për të, klubin, por edhe Kosovën”.

24-vjeçari luajti vetëm 15 ndeshje edicionin e tij të parë në kampionatin francez, duke shënuar tre gola dhe tri asistime.

Ai këtë edicion i ka munguar klubit, por edhe Kosovës në ndeshjet e rëndësishme të ciklit të rregullt kualifikues për “Euro 2020”. Por, ai mund të jetë gati për ndeshjen e rëndësishme gjysmëfinale të Ligës D të Ligës së Kombeve që Kosova e luan më 26 mars në Shkup kundër Maqedonisë Veriore.

Fituesi i Ligës D fiton biletën për kampionatin evropian që mbahet në verën e këtij viti.

Nga viti 2016, Zeneli për Kosovën ka shënuar shtatë gola në 18 paraqitje.