Kryeziu reagon pas idesë që martesat e të njëjtit seks dhe shamia në shkollë të shkojnë në një pako

Kryeministri Albin Kurti po planifikon që shfuqizimin e UA që ndalon bartjen e shamive në shkolla dhe Kodin Civil që parasheh edhe lajmin e martesave mes gjinive të njëjta t’i bëjë bashkë dhe t’i kalojë në ‘pako”.

Demokracia.com raportoi se këto dy çështje që ngjallin vazhdimisht shumë debat në shoqëri t’i kryejë në të njëjtën kohë.

“Kryeministri po planifikon t’i kalojë në pako si kompromis të dyja këto. Lejimi i martesave mes gjinive të njëjta është kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve, që si të vetme për shkak të dëmit politik që i shkakton, deputetët e Vetëvendosjes nuk e votojnë në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, për ta balancuar politikisht, me shpresën që përfitojnë duke i përmbushur kërkesat e të dyja grupeve shoqërore, njerëz të afërt me Kurtin e kanë nxitur edhe ngritjen e temës së lejimit të shamisë në shkolla për t’i kaluar në pako në emër të tolerancës dhe lirisë fetare”, ka thënë një burim i mirëinformuar për Demokracia.com.

Pas këtij raportimi ka reaguar Ismet Kryeziu nga shoqëria civile.

Kryeziu ka shkruar se po përpiqen t’i vënë përballë njëra-tjetrës, martesat e të njëjtit seks dhe mbulimin e fëmijëve me shami.

“Pozicioni në favor të martesave të të njëjtit seks dhe qëndrimi kundër mbulesës për fëmijët e ka të njëjtën logjikë, respekt dhe angazhim për të drejtat e njeriut. Respektimin e shtetit laik, i cili ka në qendër të drejtat e qytetarëve dhe rregullimin e jetës bazuar në këto parime.”, ka shkruar ai.

Sipas tij në rastin e parë, qëndrimi pro, është në favor të së drejtës së të rriturve për të vendosur për zgjedhjen ose orientimin e tyre seksual, kurse në rastin e dytë, qëndrimi kundër shamisë, është në favor të drejtave të fëmijëve – që pa qenë të zonjat e vetës, vajzat të mos mbulohen me shami si imponim apo ndikim i rrethit dhe familjes.

“Përndryshe, nuk po lexoj askënd kundër shamisë si të drejtë zgjedhjeje, nëse zgjedh të mbulohesh si e rritur pas moshës 18 vjeçare. Të drejtat janë shumë të thjeshta. Vetëm respektoni ato.”, ka shkruar Kryeziu.