Kryeziu: Byroja nuk do të jetë mekanizëm kundër korrupsionit, por instrument politik

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se Byroja Shtetërore e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurive të Pajustifikuara, në bazë të projektligjit të votuar sot, sipas tij nuk do të jetë një mekanizëm kundër korrupsionit, por një instrument politik.

Kryeziu në reagimin e tij të bërë në Facebook, ka shtuar se me këtë Byro siç thotë ai, betejën e vërtetë kundër korrupsionit do ta kthejmë në betejë të parollave politike, shkruan lajmi.net.

Po ashtu ai ka thënë se shumica parlamentare është treguar arrogante ndaj rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Postimi i plotë:

Sot, shumica parlamentare është treguar arrogante ndaj rekomandimeve të Komisionit të Venecias, opozitës dhe një grupi të shoqërisë civile, duke e përdorur projektligjin në stilin populist.  Për të ndërtuar një narrativë politike, ata që janë kundër këtij projektligji janë hajnat dhe ne që jemi pro jemi ata që i ndjekim këta hajna.

Byroja Shtetërore e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurive të Pajustifikuara, në bazë të projektligjit të votuar sot, nuk do të jetë një mekanizëm kundër korrupsionit, por një instrument politik dhe do të përdoret nga politika për luftë shtrigash. Kur, nga karriga e të fortit përndjek të dobëtit për arsye politike.

Për më tepër, me këtë Byro siç është votuar sot, betejën e vërtetë kundër korrupsionit do ta kthejmë në betejë të parollave politike, ku gjithkush dhe askush nuk është i korroptuar.

Në emër të luftës kundër korrupsionit, edhe kur këto projektligje bien ndesh me të drejtat e njeriut, me Kushtetutën e Kosovës, me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, Qeveria Kurti, përkundër fuqisë së numrave, nuk duhet t’i japë vetes këtë fuqi të kamxhikut politik. E as të ja u lë të gatshëm as të tjerëve që nesër potencialisht mund të jenë shumicë parlamentare.