Kryeziu beson se ëndrra për t’u kualifikuar në “Euro 2020” do të bëhet realitet

Një nga futbollistët më të mirë të Kombëtares së Kosovës, Hekuran Kryeziu, pranon se do të ndihet mungesa e përkrahjes së shikuesve përballë Maqedonisë së Veriut. Por ai është i bindur se futbollistët e Kosovës do të gjejnë motiv për ta realizuar ëndrrën drejt kualifikimit për në “Euro 2020”. Ndeshja gjysmëfinale e plejofit të Ligës së Kombeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është paraparë të zhvillohet pa shikues më 8 tetor në Shkup.

“Gjasat që i kemi të arrijmë diçka të jashtëzakonshme për shtetin tonë dhe duhet të jetë motivi ynë. Sigurisht që me publikun dhe popullin e flaktë që na ka përkrahur gjithmonë edhe në ndeshjet e vështira do të na mungojë, por ne duhet ta gjejmë motivin te ëndrra që jemi duke e ndjekur për të bërë diçka të madhe për Kosovën”, ka thënë Kryeziu në intervistën dhënë për “KOHËN”.

Në fakt, ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ishte paraparë të zhvillohej në muajin mars. Por, u shty për në qershor shkaku i përhapjes së koronavirusit që rezultoi në anulimin e shumicës së kampionateve. UEFA, fillimisht vendosi që këtë ndeshje dhe gjysmëfinalet e tjera për “Euro 2020” t’i shtyjë për në qershor. Por, përfundimisht në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj vendosi që të zhvillohen më 8 tetor, kurse finalet më 12 nëntor. Megjithatë, kjo shtyrje është vlerësuar e mirëseardhur për Kosovën, meqë disa futbollistë nuk do të kishin mundur të luanin. Në mesin e tyre edhe Hekuran Kryeziu, që mungoi disa muaj shkaku i lëndimit. Ai është kthyer nga lëndimi dhe ka zhvilluar dy ndeshje nga 90 minuta për Zuerichun dhe në ndeshjen e fundit kundër Luganos në 12 minutat e fundit.

“Shtyrja e ndeshjes me Maqedoninë e Veriut për mua personalisht ka qenë e mirëseardhur, sepse tani kam mundësinë ta ndihmoj Kosovën”, ka theksuar Kryeziu.

Para ndeshjes më të rëndësishme të saj, Kosova në shtator do t’i zhvillojë dy ndeshjet e para të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, në udhëtim kundër Moldavisë më 3 shtator dhe kundër Greqisë tri ditë më vonë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Të dyja ndeshjet për Kryeziun do të jenë test i mirë para ndeshjes ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Ka ende kohë për ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut, por dy ndeshjet e muajit shtator do të jenë të mirëseardhura për ne, sepse ka kohë që nuk kemi luajtur bashkë dhe besoj qe mund të përgatitemi për ndeshjen në Shkup. Megjithatë, edhe dy ndeshjet e shtatorit janë të rëndësishme për ne dhe do të na shërbejnë si test”, është shprehur Kryeziu.

Kryeziu këtë edicion ka luajtur vetëm katër ndeshje në Superligën e Zvicrës. Por, ai thotë se ndihet mirë fizikisht dhe se është i gatshëm ta japë kontributin e tij për klubin dhe Kosovën.

“Kemi startuar dhe është ndeshja ime e tretë që po e luaj pas lëndimit. Shpresoj që sa më shpejt të kthehem në formën që kam qenë para lëndimit. Sigurisht se ka ndihmuar pushimi në ritmin e lojës, por unë do ta jap më të mirën për të qenë në dispozicion si për ekipin ashtu edhe për kombëtaren”, ka deklaruar ai, që me Zuerichun ka kontratë deri në qershor të vitit 2021.

Kryeziu nuk e di nëse do të mbetet pjesë e Zuerichut deri në fund të kontratës. Është raportuar se ka pasur interesim nga skuadra të ndryshme në Zvicër, Gjermani dhe Itali. Por, ai thotë se fokusi i tij është të kthehet sa më shpejt në formën që kishte para lëndimit dhe se të arrijë me Kosovën të kualifikohet në “Euro 2020” që është shtyrë për verën e vitit tjetër.

“Synimi im është të zhvilloj sa më shumë ndeshje pas lëndimit që kam pasur për një kohë të gjatë dhe pushimit shkaku i virusit. Kjo është kryesore, gjërat e tjera të mira nuk do të mungojnë. Në futboll nuk i dihet, por unë do të fokusohem të jem sa më i gatshëm dhe të luaj sa më shumë këtë edicion. Do të kemi një orar të ngjeshur, por shpresoj të kemi sa më pak lëndime”, ka thënë Kryeziu.

Faktit se Kryeziu do të jetë pjesë të ekipit kundër Maqedonisë së Veriut i është gëzuar edhe ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti. Megjithatë, Sahiti pret që Kryeziu dhe futbollistët e tjerë të Kosovës të mos paraqiten shumë për skuadrat e tyre.

“Derisa ne kemi pasur dëshirë që të gjithë futbollistët të luajnë sa më shumë për klubet e tyre, tash në këtë kohë urojmë që të kursehen nga klubet e tyre për të qenë sa më të freskët, meqë do të ketë një orar të ngjeshur për ta si në klube ashtu edhe për ekipet kombëtare. Ne do t’i kemi për dy muaj tetë ndeshje, nuk është pak, kur ia shtojmë kësaj që kanë angazhime të mëdha edhe në klubet e tyre”, ka thënë Sahiti.