Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka paralajmëruar se të gjitha bizneset që nuk respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së ndaj pandemisë do të mbyllen.

Tahiri sot ka shoqëruar inspektorët sanitarë komunalë gjatë inspektimit në institucionet publike, dyqanet, barnatoret dhe bizneset e tjera.

Me këtë rast ai u ka shpjeguar bizneseve që çdo gjë tashmë është e qartë; ose maska për personelin dhe konsumatorët, ose mbyllje.

“Do të mbrojmë qytetin e qytetarët dhe këtë liri me çdo kusht, shumica e qytetarëve dhe bizneseve janë bashkëpunues e të ndërgjegjshëm, prandaj kjo na e bën punën më të lehtë”, theksoi Tahiri, thuhet në njoftimin e Komunës.

Në Komunë, në QKMF, në Gjykatë dhe në dyqane në Vushtrri nuk lejohet hyrja pa maska.