Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lahmih Balaj, kujton kohën kur punëtorët e Telekomit u larguan me dhunë nga puna nga pushteti serb. Ai thotë se vjedhjen e Telekomit të Kosovës sot nuk po e bën Serbia, por krimi i organizuar dhe mafia e Kosovës,

“Po insistohet që për dritë të diellit të plaçkitet ky aset i popullit dhe direkt kafshata e bukës së 3500 familjeve. Po dëshirohet të arrihet efekti i njëjtë si ai i vitive të 90- ta, tash jo nga Serbia, por nga krimi i organizuar dhe mafia e Kosovës”, ka shkruar Balaj në profilin e tij në facebook, përcjellë Ballkani.info.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit tutje ka thënë se ata që po mundohen ta bëjnë këtë nuk do t’ia arrijnë dhe se Sindikata beson në drejtësi.

“Kush mundohet që me dredhi të tilla ta falimentojë Telekomin e Kosovës do të jetë i humbur. Në shikim të parë ne mund edhe të dukemi të pafuqishëm, por ne jemi të bindur se drejtësia do të triumfojë, dhe se ashtu siç ishim të bashkuar në vitet e 90-ta, ashtu do të jemi edhe tani dhe ne fund to të trumfojmë”, ka përfunduar Balaj.

Të kujtojmë se dje kompania DardanFon.net (Lexo Z Mobile) e ka dërguar lëndën për marrjen e 25 milionë eurove nga Telekomi te përmbaruesi.

Në anën tjetër, po ashtu dje, Telekomi është deklaruar lidhur më këtë kërkesë, duke thënë se ata këto mjete nuk i kanë dhe se një gjë e tillë e dërgon në kolaps dhe falimentim këtë ndërmarrje. /Ballkani.info/

loading…