Kryetari i Shtimes vaksinohet i pari “për t’ua hequr frikën” të tjerëve

Komuna e Shtimes ka pranuar gjithsej 70 vaksina Astrazeneca për COVID-19.

Ndërkohë, kryetari i Komunës Naim Ismajli, është vaksinuar i pari me arsyetim se stafi mjekësor kishte hezituar ta merrte atë. Po ashtu me këtë vaksinë është imunizuar para stafit të QKMF-së në Shtime edhe i pari i Shëndetësisë në këtë komunë Musa Baftiu.

Ismajli ka thënë për KOHËN se është vaksinuar me qëllim të inkurajimit të stafit dhe qytetarëve.

“Fillimisht stafi ka hezituar të marrin këtë vaksinë, andaj unë e pash të arsyeshme ta marrë i pari në mënyrë që t’i inkurajoj të tjerët. Prandaj inkurajoj të gjithë qytetarët dhe stafin që ta marrin vaksinën dhe t’i largojnë dilemat e ndryshme sepse vaksinimi është i domosdoshëm që ta ruajmë shëndetin nga ky virus”, ka thënë Ismajli.

Ndërkaq, drejtori Baftiu, ka thënë se së shpejti do të furnizohen edhe me vaksina të tjera për të moshuarit e Komunës së Shtimes.

“Ne jemi furnizuar me 70 vaksina për stafin profesional, besoj se së shpejti do të arrijnë edhe vaksinat tjera për stafin teknik dhe për moshat e shtyra mbi 80 vjeç dhe për ata me sëmundje kronike. Për momentin nuk janë vaksina të mjaftueshme, por e kemi konfirmimin se do të furnizohemi së shpejti”, ka thënë Baftiu.