Kryetari i Podujevës takon të dyshuarin për katër vepra penale, Martin Berishajn

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka takuar të hënën të dyshuarin për disa vepra penale, Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci.

I pari i Podujevës aktualisht është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kroaci.

Kësisoj, Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje zhvilloi disa takime atje. Në Kroaci, ai u shoqërua nga diplomati Berishaj, i cili dyshohet për katër vepra penale. Sidoqoftë, kjo nuk ka paraqitur ndonjë problem për Bulliqin, që të shihet me të edhe në Kroaci.

Përveç Berishajt, bashkë me Bulliqin ishin edhe deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Perlaskaj dhe Martin Gojani nga Bashkësia Shqiptare e prefekturës së Bjellovarit dhe Billogores.

Në një postim në Facebook, ai tregoi se së bashku zhvilluan një takim me Kryetarin e Komunës së Grubisno Polje.

Çfarë bëri Bulliqi në Kroaci? 

Bazuar në fjalët e thëna në rrjetin e tij social, Bulliqi tregoi edhe synimin e vizitës së tij në shtetin juglindor të Evropës.

Bulliqi bëri të ditur se bashkë me kryetarin Maderuh, folën në detaje për fushat ku mund të bashkëpunojnë mes të dyja komunave respektive.

Disa prej sfereva ku këto komuna mund të ndërveprojnë mes vete, tha Bulliqi, janë arsimi, shëndetësia dhe sporti, transmeton Paparaci.

“Qëllimi i vizitës sime në Kroaci është që me kryetarin Zlatko Mađeruh të diskutojmë më detajisht për fushat ku mund të bashkëpunojmë dhe të inicojmë procedurat e binjakëzimit mes dy komunave tona për të konkretizuar bashkëpunimet në sferën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës dhe sportit”, shkroi ai.

Mes tjerash, Bulliqi u shpreh falënderues për pritjen që ai e cilësoi si miqësore në Kroaci.

“Pas binjakëzimit mes dy komunave synojmë që si dy komuna partnere të përfitojmë fonde nga Bashkimi Evropian si dy junior partnerë. I falënderoj kryetarin Zlatko Mađeruh dhe stafin e tij për pritjen tejet miqësore dhe për gatishmërinë e plotë për bashkëpunim me komunën tonë”.