LAJMI I FUNDIT

Kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, paditë Shkumbin Demaliajn… i publikon faturat e iftarit

Kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, ka sqaruar për opinionin se çfarë ka ndodhur me një iftar të shtruar ditë më parë nga ai.

Ka qenë ish deputeti, Shkumbin Demaliaj, i cili e ka shpallur kandidaturën për kryetar të Deçanit, i cili i ka publikuar disa fatura, duke aluduar se Sutaj ka keqpërdorur paratë e Komunës për të shtruar iftar, shkruan Ballkani.info.

“Ditë më parë jam apostrofuar nga një qytetarë në lidhje me shtrimin e një iftari se kinse pagesa e iftarit është bërë me para  nga buxheti i Komunës! Ndonëse po atë natë në llogarinë time në facebook kam reaguar dhe demantuar si të pavërtetë. Për hir të opinionit publik, për çështjen në fjalë jam deklaruar edhe në Seancën e sotme të Kuvendit Komunal. Me rekomandimin e miqve po i publikoj dhe faturat e atij iftari (fatura dëshmon që më është adresuar mua, dhe jo Komunës, ndërsa fletëpagesa bankare, dëshmon se pagesa është kryer me mjete private)”, ka shkruar Sutaj.

Sutaj ka prezantuar faturën dhe fletëpagesën përmes bankës që është bërë në emrin e tij

Ai ka shtuar se e ka autorizuar avokatin që të bëjë padi ndaj Demaliajt.

“Duke u nisur nga parimi “Para se me fol gjuha, të flas  edukata dhe sjellja jote” duke mos dashur të lëshohem në debate, dhe duke respektuar të drejtën time, kam autorizuar avokatin që këtë çështje ta adresoj tek organet ligjëzbatuese, atje do të dëshmohet dhe vërtetohet se kush e tha të vërtetën e kush gënjeu”, ka thënë Sutaj. /Ballkani.info/